Tre anëtarë të një familje nga Gjilani i Kosovës kanë ndërruar jetë tragjikisht për shkak të helmimit nga ushqimi. Të tre anëtarët e familjes ndodheshin për pushime në bregdetin shqiptar, në Gjirin e Lalëzit.

Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti ndërruan jetë gjatë ditës së premte e të shtunë. Shkak dyshohet të ketë qenë helmimi prej kërpudhave. Mendohet se kërpudhat ata i kanë mbledhur në pyll e më pas i kanë konsumuar.

Të tre gjilanasit janë ndier keq dhe kanë shkuar për kurim në qendrën shëndetësore Manëz. Pas vizitës atje, janë larguar nga qendra shëndetësore, por gjendja e tyre është afravuar më tutje. Fillimisht kanë ndërruar jetë Afrimi dhe Elfetja, ndërsa të shtunën ndërroi jetë Ferzinazja.

Në një njoftim zyrtar nga ana e policisë së Durrësit, bëhet me dije se dy prej mjekëve të urgjencës në qendrën shëndetësore Manëz, janë proceduar penalisht nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manëz, kanë proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasit Sh. B., 54 vjeç dhe J. K., 60 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në qendrën shëndetësore Manëz, pasi si pasojë e përkeqësimit të shëndetit kanë ndërruar jetë shtetasit kosovarë E. H., 78 vjeçe, A. H., 56 vjeç dhe F. H., 57 vjeçe (familjarë), të cilët nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë mbledhur kërpudha dhe pasi i kanë konsumuar në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit janë helmuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton drejtoria e policisë e Qarkut Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re