16 prill Kryeministri Edi Rama nga Berati i cilësoi zgjedhjet e 25 prillit mjaft të rëndësishme për sigurinë e të ardhmes së secilit qytetar, ndërsa e krahasoi kreun e PD-së me një nga drejtuesit e firmave piramidale të mesit të viteve ’90, Rrapush Xhaferi.

“Ka plot të rinj që mbase kanë lindur në vitet 2000, kur prindërit në mes viteve ‘90 kanë përjetuar një nga tmerret më të mëdha që erdhi si pasojë e njërit prej gëzimeve më të mëdha, i daljes në rrugë me këngë e valle për të pritur Rrapush Xhaferin, që vinte me makina, bori, dasmorë, para dhe të cilit njerëzit ia shtronin rrugët me sheqer. Dhe zbriste gjenerali e i vinin rrotull me këngë e valle e gjenerali iu thoshte: erdha t’u sjell sihariqin e madh, nuk keni nevojë të punoni, mjafton të më jepni një e javën tjetër ju jap dy”, iu drejtua Rama të pranishmëve në sheshin e qytetit.

Rama e vijoi më tej fjalën duke thënë se njerëzit i besuan dhe filluan të shisnin pasuritë e tyre, shtëpinë e bagëtinë dhe lanë punën e mbushën kafenetë.

“Momentin kur po prisin të merrnin dy nga ato që kishin dhënë u erdhën gishtat në sy e i qërruan të gjithë dhe dhe filluan të ulërinin si të verbër që kishin humbur dritën e syve mes flakëve që i kishin vetes se shkuan për t’i rënë shkurt”, tha kryeministri.

Se besuan, shtoi ai, se mund të ngjitesh në majë duke ndenjur ulur, këmbë mbi këmbë dhe një çudi e madhe do ta sjellë majën te krevati, klubi, kafeneja apo rruga që ti të mos mundohesh fare.

“Kështu nuk ka”, tha Rama.

Kryeministri teksa komentoi programin e premtuar nga opozita u kërkoi qytetarëve të rezistojnë dhe të mos bien pre e premtimeve të tyre.

“Na duhet të rezistojmë, të tregojmë karakter e të mos biem pre e sirenave joshëse, e atyre që premtojnë para pa masë për të rinjtë, familjet, bizneset e vogla. Nga do të vijnë këto lekë“, shtroi pyetjen Rama.

Këto lekë, tha ai, vijnë vetëm nga ai “hon” që bashkëjeton brenda shqiptarëve dhe nga ku zërat e të shkuarës, manipulatorëve, të Haxhi Qamilëve e Rrapush Xhaferrëve rikthehen, por janë po ato zëra që na kanë penguar që ne të ngjitemi aty ku e meritojmë dhe duan përsëri të na kthejnë aty ku nuk e meritojmë.

“Zgjedhja është shumë e qartë, më 25 prill o për Shqipërinë, ose kundër Shqipërisë, aty ku ne nuk e meritojmë, populli nuk e meriton”, deklaroi kryeministri.

Rama iu përgjigj edhe atyre që e pyesnin se çfarë është bërë në 8 vite.

“Ne kemi filluar të bëjmë e po bëjmë përditë atë që nuk është bërë kurrë më pare, sepse nëse shumë vite më parë do të kishte filluar kështu, sot do të ishim ku e ku. Të gjitha këto sheshe, porte e aeroporte, sjellin atë mirëqenie që ne kërkojmë”, u shpreh ai.

“Nëse do të ishin po të njëjtat rrugë e sheshe, nuk do të ishin shtuar në Berat të gjitha këto hotele e sipërmarrje. Por për t’i bërë aq shumë sa duhet, na duhet të vazhdojmë të punojmë”, tha Rama.

“Unë nuk di një rrugë tjetër, nuk di të vij dhe t’u them votoni PS dhe ne do të japim lekë. Di të them votoni PS dhe ne do të krijojmë punë dhe duke e sjellë Shqipërinë në atë pozitë ku kushdo që do të fitojë përmes punës të ketë mundësi të fitojë përmes punës. Duke i dhënë mundësinë të gjithë atyre që jetojnë në këtë qark të bekuar të kenë mundësi që nga gjithë ky thesar që zoti u fali të prodhojnë pasuri”, shtoi Rama. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re