Ish-kryeprokurori Adriatik Lllalla në intervistën e tij për emisionin “Çim Peka Live” ka folur për përplasjen me Donald Lu.

Lllalla tha se me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë është përplasur fillimisht për reformën në drejtësi që sipas tij nuk u pyetën njerëzit brenda drejtësi.

Më tej ish-prokurori Llalla tha se Lu ndërhyri edhe në çështjen e hetimit ndaj Bankers Petrolium.

Ai gjithashtu e lidhi “shpalljen non grata” nga SHBA-të edhe me interesat që ish-sekretari amerikan i shtetit Tillerson ka pasur në Bankers duke qenë aksioner në të.

Pjesë nga intervista:

Peka: Në një intervistë te Fevziu jeni shprehur se Donald Lu është investuar kundër jush. Pse?

Llalla: Marrëdhëniet e mia me ambasadorin u kthyen në një debat personal. Lidhur më shumë me qëndrimet që unë mbaja për çështje të caktuara. Ajo që është për tu theksuar që është një lloj nënvlerësimi që ne shqiptarët i bëjmë vetes tonë është se përulemi përpara çdo të huaji që vjen në vendin tonë. Pikërisht kjo ndodhi edhe me ambasadorin Lu. Kemi pasur disa herë debate për tema të caktuara për të cilat ndërhynte ose kërkonte të impononte mënyrën se si ai e vlerësonte zgjidhjen. Një ndër temat e diskutuara në debate ka qenë edhe Reforma në Drejtësi.

Peka: Keni pasur debate me Donald Lu për reformën në Drejtësi?

Llalla: Në tryeza pune edhe kemi debatuar.

Peka: Keni qenë kundër reformës…

Llalla: Nuk kam qenë kundër reformës. Sistemi i drejtësisë kishte nevojë për tu reformuar, jo për tu sulmuar. Unë kam qenë kundër sulmit në bllok që po bëhej ndaj punonjësve të sistemit të drejtësisë. Të gjithë u hodhën kundër punonjësve të sistemit të drejtësisë, atyre që në ditët më të vështira, në vitin 1997, punuan në çdo cep të vendit. Prokurori i Gjirokastrës i cili mbronte prokurorinë me armë. Në Vlorë, Lushnje, Berat, e kudo tjetër. Këta njerëz nisën të sulmoheshin dhe etiketoheshin si kriminel, që realisht janë njerëz që punonin ndershmërisht. Sulm në bllok, duke përfshirë edhe presidentin Nishani që ishte i pari që sulmonte punonjësit e drejtësisë dhe të gjithë me radhë.

Peka: Ju ka sulmuar dhe presidenti Nishani?

Llalla: Mua personalisht jo, por sistemin e drejtësisë. Nishani, Dedja, kryetari i gjykatës së lartë e të gjithë me radhë u hodhën të gjithë kundër punonjësve të sistemit me idenë se mund të siguronin privilegje në të ardhmen. Në daljet publike kam qenë i vetmi zyrtar i cili kam qenë kundër luftës në bllok që po i bëhej njerëzve të drejtësisë.

Peka: Ju keni qenë i zgjedhur nga Nishani si kryeprokuror. A ja keni thënë Nishanit se pse po e sulmoni drejtësinë në bllok?

Llalla: I kam thënë Nishanit, Metës dhe kujtdo tjetër, që ky nuk është veprimi i duhur. Ne nuk mund të demotivojmë pjesën pozitive. Një nga debatet me Donald Lu ka qenë pikërisht kjo. Sepse nuk mund të sulmohet në bllok të gjithë punonjësit e sistemit, sepse po demotivojmë pjesën pozitive të punonjësve të sistemi te drejtësisë dhe fakti po e tregon se jo të gjithë mund të futen në një kallëp, sepse vettingu po tregon se pjesa më e madhe po e kalon këtë proces.

Peka: Gjatë kohës që ishit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, u përfshitë në një debat të ashpër, madje edhe me akuza personale me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Përse kjo përplasje? A nuk mund të kishit një qëndrim më luajal dhe të shmangnit kursin e debateve me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Llalla: Me Donald Lu debati u kthye në konflikt personal. Filluan debatet mediatike, sulmet e ndërsjellta pa pasur asnjë arsye madhore, përveç faktit se në natyrën e tij, ose ashtu kishte gjetur rrugën në shumë institucione të tjera, synonte të bëhej ashtu siç donte ai. Në një moment që ata nuk perceptonin dot mendimin ndryshe, mendimin e një drejtuesit të një institucioni të shtetit shqiptar.

Peka: Pra fillimisht me Donald Lu përplasja ishte për reformën në drejtësi, nuk pranonte asnjë lloj mendimi ndryshe nga ai?

Llalla: Fakti tregon se ky proces reforme siç erdhi, u implementua pa marrë mendimin e askujt brenda sistemit. Prokuroria përshembull, çoi anëtarë të grupit të punës, dy nga anëtarët më të mirë që kishim. Fatkeqësisht të dy janë larguar nga sistemi, si Dritan Rreshka dhe Henrik Ligori. Ishin pjesë e grupit të punës, por realisht nuk dhanë ndonjë kontribut sepse mendimi i tyre nuk u mor asnjëherë në konsideratë. Në bindjen time, unë kam qenë gjithmonë që akuza të mos decentralizohej, por të ishte një institucion i centralizuar. Tashmë me ndryshimet ligjore nuk është më ai institucion i centralizuar dhe mendoj se rrjedha që ka marrë nuk është më ai institucion serioz shtetëror.

Peka: Tashmë është e njohur për median, është një email që Donald Lu ju ka dërguar ju dhe thotë: Z. Llalla faleminderit për përgjigjen tuaj të shpejtë, nuk mund të theksoj mjaftueshëm se sa i shqetësuar jam personalisht për pasoja e ndjekjes penale të këtyre personave të Bankers Petroleum nga prokurori i Fierit. Në çdo vend tjetër do të prisnim të shihnim gjoba dhe penalitete administrative. Akuzat penale janë të pazakonta. Kjo do të ketë një ndikim kryesor në aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr investime të huaja pikërisht kur ministri Gjiknuri po përpiqet të kërkoj investime të huaja që të marrin pjesë në ankand për blloqet e naftës në Shqipëri. Dua te jem i sinqertë me ju që është dyshimi im që trysnia dhe presioni politik është pas vendimit të prokurorit të Fierit. Ne do ta ndjekim këtë çështje nga shumë afër, me respekt Donald Lu.”

Kjo është Email i dërguar nga Donald Lu, çfarë e lidh Donald Lu me Bankers dhe cila është e vërteta, a kishit ju dyshime që prokurori i Fierit i ka kërkuar ryshfet Bankers.

Llalla: Prokurori i Fierit ka ushtruar në mënyrë korrekte punën, ai që ka pasur çështjen ka nisur një hetim në rrugë normale për situatën që ndodhi në disa puse nafte që sollën pasoje në zonën naftëmbajtëse, por edhe pronat e banorëve dhe ka qenë një nga debatet e tjera që kam pasur me zotin Lu.

Peka: Lu ndërhyri për çështjen e Bankers dhe te Fevziu keni thënë që ju ka njoftuar një biznesmen i fuqishëm, që nëse nuk do të pushoni çështjen zoti Lu do të vijë në zyrën tuaj, a ndodhi kjo?

Llalla: Si e kam përmendur atje po.

Peka: Zoti Lu ju erdhi me pronarin e Bankers?

Llalla: Po ne u prezantuam dhe rezultoi që ai ishte pronari ose menaxheri që vinte nga Kanadaja.

Peka: Dhe si u ndatë nga ky takim?

Llalla: Në të njëjtat rrethana, duke këmbënguli që prokuroria do të hetoj rastin në mënyrë korrekte deri në fund dhe nëse do të vlerësoj që nëse kishte përgjegjësi penale një punonjës i kompanisë do të shkonte drejt përgjegjësisë penale ose në të kundërt çështja do të merrte një rrugë tjetër.

Peka: Ju nuk e ndaluar hetimit?

Llalla: Jo asnjëherë, i kemi kërkuar kompanisë që të ç’dëmtonin banorët e asaj zonës që edhe sot besoj që janë pa banesa, por asnjë nuk e mori këtë përgjegjësi.

Peka: Sekretari i Shtetit Tillerson që ka firmosur deklarimin non-grada të Adriatik Llallës ishte aksioner në këtë kompani, a jam korrekt?

Llalla: Po, është e vërtetë.

Peka: Ju po e pranoni që Tillerson që ka firmosur deklarimin non-grada ishte aksioner i kësaj kompanie që ju nuk keni ndalur hetimin ndaj saj të kërkuar nga Donald Lu. Në përgjigjen e DASH ndaj prokurorisë shqiptare nuk ka asnjë të dhënë konkrete përveç faktit që thuhet se ka kryer korrupsion masiv sipas opinionit. A e konsideroni këtë rast si një hakmarrje të numrit një të DASH ndaj jush?

Llalla: Nëse do të shkonte rasti im që rasti i parë në botë ku do të cenoheshin interesat e Sekretarit të DASH do të ishte interesante nëse do të lidhej me këtë, por fakti që Tillerson është ortak kësaj kompanie mund ta vërtetoj çdo kusht.

Peka: Ju mendoni se u cënuan interesat e zotit Tillerson që u shkarkua më vonë nga Trump?

Llalla: Pse jo!

Peka: Por nuk aludoni deri aty që mendoni se ai u shkarkua për rastin tuaj?

Llalla: Jo nuk e besoj.

Peka: Megjithatë po në ato vite kanë filluar disa shpime të tjera për naftë edhe te Bankers, por edhe të kompanive të tjera ku Soros ishte aksioner, a keni informacion që Soros është aksioner të Bankers?

Llall: Jo nuk kam informacione.

Peka: Plus kësaj është i njohur fakti që Xhorxh Soros ka qenë inspirues dhe përfitues nga donacioni i Reformës në Drejtësi në Shqipëri. A e lidhni edhe këtë sulm ndaj jush me këtë emër apo jo.

Llalla: Çdo gjë mund të jetë e mundur lidhur me përplasjen që ka ndodhur me ambasadorin Lu në 2016 ku me cilësoj si pengues në Reformën në Drejtësi në rrethana krejt absurde, pasi prokurori nuk kishte asnjë kompetence mbi legjislativin ose ekzekutivin që ta pengonte reformën fare. I kërkohej nga grupi i eksperteve ne i vendosëm më të mirët, ndërsa në tryeza pune unë kisha mendimet e mia për mënyrën se si duhet të funksiononte institucioni i prokurorisë.

 

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re