120 vjet sot! Profecia të doli! Po kerkohesh e po levdohesh gjithnje e me shume! Ndrit e vete o Zog i qiejve ! O kandil i parajses! Çfarë thellësie flet nëpēmjet teje vallë?!

I perëndishëm është arti. Perënditë për t’a bërë u a falën njerzve artin, po të drejtën e të folurit mi art, përmi art, të drejtën e Lartë dhe të perëndishme të gjykimit të artit ato e mbajtën për vetëvete…

Kur ti, kur unë bëj art, poezi – kjo s’domethënë, kurrsesi nuk domethënë se ke dhe kam ndonjë vlerë t’imen të veçantë që e bëj atë art, që vjershëroj: Ke dhe kam në shpirt një dhuratë, një send të dhuruar prej Zotit për t’a shfaqur mjeshtërisht drejt lumtërimit njerëzor, dhe asgjë tjetër.

Bilbili që këndon këngën e tij të lartë, a mos i a u kalon me diçka shokëve zogj të tjerë të tij? A mos ka përsipër tyre ndonjë vlerë të vetes së tij, ndonjë meritë vetore? Nuk e mësoj në shkollë ay atë këndim, po i a thotë ashtu siç e ndjen në shpirt, sikundër e mban atje brenda dhuratën e paçmuar të pakrahasuar perëndore.

Ay këndon, dhe të tjerët dëgjojnë. Vetëm ay këndon, vetëm ay mund të këndojë, sepse ay vetëm ka dhuratën e dhuratave të shprehjes mjeshtërore, të krijimit, për të shtuar gëzimin njerëzor.

…Dhe të tjerët dëgjojnë. Dëgjojnë dhe çuditen dhe habiten dhe mahniten dhe shtëngen dhe trënden, dhe do të deshin (ah!) të këndojnë ata vetë, ata të krijojnë, po s’mundin. Nuk kanë dhuratën e brëndëshme, intuimin e këngës; nuk kanë fshetësirën e modulimit të një melodije së re. Ata s’këndojnë vetë dot. S’krijojnë dot. Janë vendosur prej Perëndive anas.

Artisti, poeti, pra, krijon prej vetes së tij; jep formë shpirtërore të dukur dhe të jashtme, brëndësirave të tij të dhuruara. E menjëherëshme është dhurata, ajo falet drejtpërdrejt, jepet e tëra, ex abrupto. Është njëkohësisht iniciale, esenciale dhe primordiale.

Me fillimin, ajo ka bërthamën, dhe me bërthamën, tërësìnë qënësore të përsosur, përsosurìnë kosmike. Sikundër e merr, të tërë, dhuratën e perëndishme të krijimit, ashtu dhe e jep artisti, të tërë, të përplotë, të mbaruar, të njëjtëshme dhe të harmonishme nër pjesë dhe në tërësinë e saj veprën e frymëzimit ose të frymëzimeve të tija.

Prandaj po shënoj, këtu, se nuk është zell, durim, gjeníu. Zelli dhe durimi, edhe me gjithë vështirësitë dhe pengesat e kalesat e atelierit poetik janë puna e mbrumjes së veprës së artit, po gjeníu është mundësija fuqiplote e asaj mbrumjeje në krijim.

Prandaj dhe për të gjitha dituritë, disciplinat, postulatet, édhe për mjeshtëritë dhe artet e tjera zbulimtare ka shkolla, shkolla të veçanta, akademira, univesitete. Dó të bëhesh professor letrature? – hyrë në Fakultetin e letrave; dó professor muzike? – shkruaju në Konservator; pikture? – bëj Akademinë e arteve të bukura; të pëlqen avokat? fut-u në Drejtësi; mjek? shpejt në Mjekësi! Dhe mê në fund (ose mê në krye), a dó të bëhesh orator, gojëtar, fjalëtor? Në daç – atëhere ja ku është Retorika, klasa e retorikës: ja kolegjet e panumurta dhe të panumëruara konfesionale: ja çerdhja shqiptare e tyre, Shkodra.

Me qënë që vetëm poetit i është dhuruar hiri i artit – dhe hir i artit është frymë prej frymës së perëndishme – vetëm ay mund të bëjë art, art immanent, që domethënë prej mundësirave të pakufishme po gjithnjë dhe fund e krejt të brëndshme të artistit, – dhe gjithashtu vetëm ay mund të bëjë gjykim arti, gjykim immanent, që domethënë vlerësim dhe revelim kritik, kritikë që përcaktohet, që është e paracaktuar qoftë në princip, qoftë në metodë prej brëndësirës, prej esencës së vetë obiektit të kërkimeve të saja, me fjalë të tjera një kritikë që revelon dhe vlerëson dhe gjykon mendimin artistik ose sistemin mendimor të artit prej kushteve, prej paracaktimeve të nxjera vetvetiu dhe organikërisht brënda këtij mendimi, brënda këtij sistemi.

Kësisoj artisti, që flet mi art nga vetëvetja e tij, nga mundësìtë intuitive, që mburojnë prej mburimit të pastër të art-krijonjësit, të art-shijonjësit, ka ndaj të tjerëve të drejtën e lartë dhe zotërimtare, privilegjin, se mund të na thotë për veprën artistike të kqyrur prej tij kurdoherë një gjë të re, një vlerë të paditur dhe të paditurshme nga të tjerët, diçka që shton, duke e pasuruar, trashëgimin e përbashkët të artit dhe rreth artit.

Këtë të drejtë që sjell elemente origjinale në orizontin e mbushur plot me perspektiva të pa dukura të artit, artisti e përdor gjithnjë në kundërthënje me të tjerët që janë të pathirrur, me ata që, duke mos u gëzuar prej lindjeje me virtutën e ritur për gjaku të krijimit dhe të kuptimit artistik, maten errtazi në natën e pa-yllëzuar, pa patur së pari me vete tejkqyrën e zbulimtarit: dhe kështu, në një lëmë ku është tepër shumë për të thënë, për t’u zbuluar dhe këthjelltësuar me anën e dhuratës së magjishme të krijimtarit, duke mos mundur ata të bëjnë kështu… dyke mos patur për të thënë diçka të re, origjinale dhe pasuronjëse në gjykimin njerëzor të artit… thonë – ç’kanë thënë të “tjerët”…

Lasgush Poradeci.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re