Tirana këtë mëngjes u zgjua nën ngjyrat gri të dimrit. E ndonëse në Tiranë shumë rrallë jemi mësuar të shikojmë dëborë, ndryshe ndodhë me qytete e tjera.

Në Korçë reshjet e dëborës kanë vijuar përgjatë natës dhe mëngjesin e
sotëm, ku në disa zona të caktuara trashësia ka arritur nga 5 deri në
10 cm. E pikërisht për këtë arsye, në aksin rrugorë, Korcë-Dardhë, nga
kilometri i 5 në të 14, kalimi i mjeteve të vogla duhet bërë me
zinxhirë.

Reshjet e dëborës kanë shfaqur probleme në qarkun e Dibrës, ku në
Lurë, Kala e Dodës e në Reç, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në
15 cm. Rruga nacionale Maqellarë-Peshkopi ka hasur probleme në
qarkullim, ndaj automjetet kanë mbetur të bllokuar rreth 1 orë.

Por çfarë thotë meteorologu Hakil Osmani për reshjet e dëborës?

“Reshjet e dëborës do të shfaqen ditën e sotme gjatë mesditës dhe në
vijim, por do të jenë reshje të pakta në zonat malore verilindore dhe
lindore”-u shpreh meteorologu

Në rrugët e zbrazura të kryeqytetit ka pasur dhe reshje të pakta
shiu, që sipas meteorologut do të vijojnë përgjatë ditës së sotme.

“Duke filluar nga dita e hënë dhe në vijim pritet që kushtet
atmosferike të përmirësohen në territorin shqiptar duke sjellë
mbizotërimin e kthjellimeve në vend. Edhe vranësirat do të jenë prezente
por do të jenë kryesisht në zonat malore. Vlerat termike do të kenë një
rritje të lehtë të tyre në mëngjes ndërsa më e ndjeshmja do të jetë në
vlerat maksimale gjatë mesditës duke shënuar dhe 15 gradë Celsius që në
fakt janë 2-3 gradë më të larta se vlerat tipike të muajit janar”- tha
Hakil Osmani.

Pavarësisht dëshirës së madhe për të shijuar dëborën në Tiranë, gjasat janë të pakta./shqiptarja

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re