Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i cili njëkohësisht është edhe përfaqësues i Nismës Thurje, zbuloi diferencën e madhe mes shifrave që paguan Shqipëria dhe atyre që paguajnë vendet e tjera për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.

 

Duke komentuar kallëzimin e bërë në SPAK nga Nisma Thurje për koncesionin e sterilizimit, Soko deklaroi se Shqipëria është vendi që paguan më shumë se çdo vend tjetër.

 

Sipas tij, vendi ynë ja kalon edhe Spitalit Mbretëror në Mbretërinë e Bashkuar i cili paguan vetëm 40 paund për sterilizim. Ndërsa në Shqipëri paguhet 290 euro, një shifër mjaft e kripur.

 

Pjesë nga intervista në emisionin “7 pa 5”

 

Një pjesë e mjekëve që unë kam patur në studio më kanë deklaruar që kanë qenë problem në spitalet tona infeksionet spitalore, të cilat vinin për shkak të pajisjeve dhe që me pajisjet e reja apo me koncesionin e sterilizimit janë evituar. Nga eksperienca e vendeve të tjera, si funksionon? Ky është një shërbim që e ofrojnë vetë spitalet, që e ofron vetë shteti apo janë kompanitë koncesionare që e marrin. Dhe të llogarisim disi kostot.

 

Ta nis nga kjo e fundit. Në Gjermani, kosto e sterilizimit të një seti që ne e paguajmë 200 euro, është 0.8 euro, në Greqi është 1 euro, në Itali ishte diku tek 1.8 dhe 4 euro për set kirurgjikal. Në Angli më i shtrenjti, ishte në mos gaboj Royal Hospital i Londrës, pra Spitali Mbretëror i Londrës, i cili setin e madh, më të madhin fare, e sterilizonte me 40 paund. Pra 40 paund është më i madhi në botë se ne thamë sa është më i shtrenjti.

 

Si është justifikuar në Shqipëri kjo vlerë? Se kam përshtypjen është bërë një lloj përllogaritjeje apo është vënë një çmim standard edhe… Si justifikohet?

 

Ti ke parë ndonjë të justifikohet? Është rënie dakord mes palëve që ne do të paguajmë 90 euro për setin e vogël, 190 euro për setin e mesëm, 290 euro për setin e madh. Kaq. Pra është një rënie dakord, nuk është se ka pasur një analizë që hajde ta shikojmë. Sistemi mund të ketë probleme, por kjo nuk do të thotë që t’i biesh me top lekëve. Se po i bihet me top lekëve dhe s’e dinë fare se çfarë heqin njerëzit për të paguar ato lekë që këta i thonë kështu, nga 2 euro thotë ai 190 euro. Koncesioni nuk po bën ndonjë gjë më të madhe, thjesht po kryen të njëjtin proces me një vlerë më të madhe., blihen pajisje të reja… Ç’është kjo mendësia për të vajtur dhe për t’i rënë me top lekëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re