Skip to content

Borrell, gati për vizitën e parë në Kosovë dhe Serbi: pse kjo zgjedhje?

49448596 303

Shefi i ri i diplomacisë europiane, spanjolli Josep Borrell që zëvëndësoi italianen Federica Mogherini, do vizitojë të enjten dhe të premten Prishtinën dhe Beogradin, pra në fillim në kryeqytetin kosovar e më pas në atë serb. Kjo është vizita e parë e tij zyrtare që me merrjen e detyrës, e këtë e realizon pikërisht në Ballkan, në segmentin e nxehtë të raportit mes Kosovës dhe Serbisë.

Para kësaj vizite, Borrell thotë se kjo zgjedhje tregon përkushtimin e BE ndaj perspektivës, stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajonit.

Ai shton se Ballkani Perëndimor do të jetë një përparësi gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm i BE.

“Duke pasur parasysh vendosmërinë time personale për të përparuar dialogun e sponsorizuar nga BE, unë desha të vizitoj së pari Kosovën dhe Serbinë. Ka shumë punë të rëndësishme përpara nesh, përfshirë këtu normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së thekson se ai dëshiron të takohet me Serbinë dhe Kosovën dhe qytetarët e tyre gjatë vizitës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, përveç takimeve me lidershipin e Prishtinës, Borrell do të vizitojë dhe Prizrenin.

Misioni i tij ka brenda dhe konkurencën me faktorin amerikan në rajon, që tashmë ka dy të dërguar.