Skënderbeu dhe FSHF u përballën dje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë pas apelimit të klubit korçar kundër vendimit të Komisionit të Etikës, që u hoqi bardhekuqve titullin e sezonit 2015- 2016 me një vendim të datës 23 qershor 2017.
Fillimisht ishte UEFA që dënoi korçarët me një vit mospjesëmarrje në Europë (më 5 korrik 2016), në një kohë që Komisioni Juridik i FSHF-së mori një vendim vetëm një vit më pas.
Skënderbeu vendosi apelimin në KAS dhe pikërisht të hënën u mbajt seanca dëgjimore. “Panorama Sport” mëson se vendimi i KAS-it të Lozanës mund të zgjasë, por gjithsesi nuk përjashtohet mundësia që të jepet edhe brenda këtij muaji.
Në Korçë besojnë se KAS-i hedhë poshtë vendimin e Etikës ndërkohë që interes për këtë situatë ka edhe Partizani, nënkampionët e atij sezoni, të cilët synojnë titullin në tavolinë.



