Zbulimi i hershëm i kancerit është çelësi për zvogëlimin e numrit të vdekjeve nga kjo sëmundje.
Kështu thuhet në hyrje të abstraktit të publikimit të artikullit në revistën “Science” nga grupi i shkencëtarëve Joshua D. Cohen, Lu Li, Yuxuan Wang, Christopher Thoburn, Bahman Afsari, Ludmila Danilova, Christopher Douv dhe të tjerë.
Ky grup shkencëtarësh kanë arritur të zbulojnë një lloj analize të re e cila mund të jap diagnozë të hershme për tetë lloje të kancerit.
Testi i gjakut i cili bëhet përmes vlerësimit të proteinave dhe mutacioneve në ADN, mund të zbulojë herët kancerin e vezoreve, mëlçisë, lukthit, pankreasit, ezofagut, zorrës së trashë, mushkërive dhe gjirit.
Testi i cili quhet “CancerSEEK” është kryer në 1005 pacientë dhe ka rezultuar pozitiv në 70 për qind të tyre, në të gjitha llojet e sëmundjes vdekjeprurëse.
Kirurgu i njohur nga Kosova, Dr. Avdyl Krasniqi, e konsideron këtë analizë si një nga zbulimet më të rëndësishme në mjekësi.
“Të gjitha këto lloje të kancerit fatkeqësisht në shumicën e rasteve diagnostikohen shumë vonë, kanë prognozë të keqe dhe kanë vdekshmëri të lartë. Të shpresojmë që sa më shpejtë të fillojë aplikimi klinik masiv i kësaj metode të re diagnostike”, deklaron Dr. Krasniqi.
Madje ai shprehet se nëse kjo analizë jep rezultatet e pritura, atëherë autorët do të mund të jenë fituesit e ardhshëm të çmimit Nobel.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re