Forcat ajrore amerikane në bazat ushtarkae në Britaninë e Madhe kanë kryer manovra luftarake mbi Detin e Veriut, duke përdorur bombardues B52, të aftë të mbajnë armë bërthamore.
Manovrat ushtarake – të cilat synojnë forcimin e aftësive të NATO-s – vijnë pas manovrave nukleare ruse përgjatë brigjeve të Norvegjisë e Britanisë, duke bërë që dy vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut të ngrenë në ajër avionët luftarakë.
Pas furnizimit në ajër, distanca e fluturimit të B52 shkon përtej Evropës, në Lindjen e Mesme dhe përmes Azisë.
Në fakt, B52 mund të shkojë kudo në botë. Edhe avionët luftarakë të NATO-s mund të furnizohen në ajër për të rritur distancën e fluturimit.
Edhe një avion luftarak britanik Typhoon u furnizua në ajër si pjesë e manovrës.
Javën e kaluar, një numër i panjohur avionësh Typhoon të Britanisë u ngritën për të interceptuar dy avionë rusë Blackjack me kapacitet bërthamor, të cilët shkuan deri në 80 kilometra pranë bregut britanik.


