Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës pritet që të fillojë punimet në muajin qershor të këtij viti, teksa brenda muajit mars parashikohet që të përfundojë procedura e tenderimit .
Lajmi u bë i ditur nga z. Thimio Plaku, drejtor i Politikave dhe
Strategjive të Zhvillimit të Transportit dhe Infrastrukturës, në
Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë një tryeze të
rrumbullakët me temë “Procesi i Berlinit: forcimi i ndërlidhjes dhe
bashkëpunimit rajonal”, të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe
Zhvillim, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Tiranë.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të
zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që
synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës
së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe
financime nga donatorët.
Kostoja totale e këtij projekti është 92 milionë euro, 40% e të cilës
është kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 42% janë
grante dhe 18% është kontribut kombëtar. Qëllimi i saj është
rehabilitimi i 34.5 km hekurudhore midis Tiranës dhe portit kryesor të
Durrësit (34.5 km) si dhe ndërtimi i 7.4 km rrugë të reja hekurudhore
midis Tiranës dhe aeroportit ndërkombëtar Rinas. Aktualisht procesi i
prokurimit ndërkombëtar me dy faza është duke u zhvilluar. Afati i
synuar për mbylljen e tij është muaji mars.
Z.Plaku tha se ka një zhvillim në këtë projekt. Fillimisht ai
parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik (ku është
sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me
largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa
kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë
afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të
sotshëm. “Ka filluar dizajni i detajuar për zgjatjen e hekurudhës nga
Terminali i Transportit Publik në Stacionin Qendror të Tiranës, me një
gjatësi prej 4 kilometrash”, tha Plaku.
Në fazën e mëtejshme pritet dhe elektrifikimi i hekurudhës nga Tirana në Rinas.
Si do të zhvillohen hekurudhat
Z.Plaku tha se qeveria po punon për të shtrirë rrjetin e hekurudhave
në vend, në linjë me prioritetet që Bashkimi Europian i ka dhënë
zgjerimit të tyre.
“Kemi një sërë projektesh në rrjetin hekurudhor. Bashkimi Europian,
për rrugët jep deri në 20% grante, ndërsa për hekurudhat deri në 50%,
pasi promovon ndërtimin e rrjeteve hekurudhore”.
Po punohet për projektin e detajuar të hekurudhës Vlorë-Hani i Hotit,
i cili pritet të përfundojë në nëntor 2020. Ky projekt mundësohet nga
një grant 4.5 milionë euro i akorduar nga WBIF (Korniza e Investimeve në
Ballkanin Perëndimor). Pas përfundimit të tij do të aplikohet te WBIF
për një grant prej rreth 50% të investimit (140 milionë euro).
Hekurudha Durrës – Rrogozhinë – Pogradec – Lin – Maqedoni, (Pan
European Corridor VIII) është pjesë e rrjetit të 6 vendeve të Ballkanit
Perëndimor dhe po punohet për ta kualifikuar si rrjet bazë deri në vitin
2023, me perspektivën për një zgjatim indikativ të Korridorit
Orient/East Med TEN-T Corridor. Ka përfunduar studimi i fizibilitetit
për rindërtimin e këtij korridori rrugor si dhe për dizajn paraprak të
rrugës Durrës – Rrogozhinë. Më pas do të aplikohet te WBIF për një
grant prej 50% të investimit (64 milionë euro). Ky projekt ka dalë me
rezultate të mira sa i përket trafikut të pasagjerëve. Plaku thotë se
problem në këtë projekt është pjesa e Maqedonisë, e cila është tepër e
shtrenjtë, në rreth 600 milionë euro si dhe gjetja e një gjuhe të
përbashkët për pikën e daljes nga Shqipëria, që fillimisht ishte
planifikuar në Lin, por ka pasur shqetësime për ndikimin në mjedis.
Përmes një granti prej 1.7 milionë eurosh nga Banka Europiane e
Investimeve (EIB) po hartohet dizajni paraprak dhe i detajuar i
rindërtimit të hekurudhës Rrogozhinë – Pogradec. Më pas do të aplikohet
për një grant për 50% të investimit (300 milionë euro).
Po kryhet një studim parafizibiliteti për lidhjen hekurudhore
Shqipëri – (Kapshticë/Kristalopigi) – Greqi në kuadër të programit
INTERREG CBC Shqipëri-Greqi. Projekti do të përfundojë në fillim të
vitit 2021 dhe më pas do të aplikohet për studimin e fizibilitetit dhe
dizajnit të detajuar.
Z.Plaku tha se distancat e shkurtra hekurudhore dhe ngarkesat e vogla po pengojnë zhvillimin, ndaj prioritet janë distancat e gjata. Me leverdi shihet sidomos lidhja hekurudhore me Greqinë, e cila nëse realizohet, mund të nisen çdo ditë dy trena pasagjerësh, duke mundësuar dhe lidhjen me gjithë Europën.Monitor
