Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me Maryam Salim, Drejtuesen e Misionit të Bankës Botërore dhe ekipin e saj.

Lideri i PD-së ka bërë me dije detaje nga takimi, ndërsa shkruan në ‘Facebook’ se bashkë me Salim diskutuan mbi projektet e BB dhe ekonominë shqiptare, që sipas tij është e zhytur në kolaps.

“Sot zyrtarisht, 1 në 2 shqiptarë nuk plotëson kriteret minimale të mbijetesës. Konsumi është në minimumin historik. Rënia rekord e besimit në ekonomi nga qytetarët dhe biznesi e bën vitin 2020 akoma dhe më të vështirë se ai që lamë pas.

Konfirmova angazhimin tim se për Partine Demokratike nuk ka betejë më të rëndësishme se lufta ndaj korrupsionit shtetëror, i cili po largon shqiptarët, po shkatërron ekonominë dhe po vret shpresën.

Partia Demokratike është e angazhuar për ta ringritur ekonominë dhe rikthyer shpresën e besimin se vetëm me punë të ndershme e të drejtë, me konkurrencë të lirë, me taksa të ulëta do ta kalojmë këtë krizë e do të krijojmë mundësi punësimi e zhvillimi për çdo shqiptar.”, shkruan Basha në mesazhin e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re