Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve, ku Shqipëria u bë pjesë e grupit C1 bashkë me Skocinë dhe Izraelin janë shpallur edhe datat se kur do të luaj kombëtarja për Ligën e Kombeve. Etapa e parë do të luhet në hapësirën kohore shtator – nëntor dhe Shqipëria do të luaj në këtë periudhë katër ndeshje ndaj dy rivalëve të grupit me sistemin vajtje – ardhje.
Ndeshja e parë do të luhet më 7 shtator në shtëpi ndaj Izraelit në orën 20:45, ndërsa më datë 10 shtator udhëtojmë drejt Skocisë për të luajtur aty ndeshjen e dytë në të njëjtin orar.
Më pas rikthehemi të luajmë në tetor dhe nëntor dhe fillimisht në 14 tetor luajmë në transfertën izraelite për ta mbyllur gjithçka në shtëpi ndaj Skocisë më 17 nëntor.
Por ky kompeticion i ri ka hapur të tjera dritare interesante për Shqipërinë. Pasi fakti që luajmë në një grup me tre skuadra e lë Shqipërinë pushim ndërkohë që pjesa më e madhe e kontinentit luan. Po të shoësh kalendarin kupton se janë një numër i kufizuar skuadrash evropiane që janë të lira në ato data edhe mes tyre disa nga gjigandët e futbollit botëror.
Kështu në datat 11 tetor dhe 20 nëntor 2018 veç Shqipërisë janë të lira për të zhvilluar takime miqësore skuadra, si: Italia, Spanja, Franca, Bosnje – Hercegovina, Islanda, Turqia, Ukraina dhe Uellsi. Kështu FSHF duhet të nis që tani punën për shtimin e lobimit dhe për ti siguruar kombëtares një miqësore të madhe sepse përndryshe alternativa do të mbeteshin vetëm skuadrat joevropiane sërish të lira në këto data./Berati.TV



