Tedi Blushi i kthen përgjigje Taulant Ballës.
Këshilltari për mediat dhe zëdhënësi i presidentit, përmes një statusi në facebook shkruan se gjykata kushtetuese është kyçe në hapjen negociatave.
Ai pyet Ballën pse mazhoranca e miratoi pa pritur Venecian ligjin për betimin e gjyqtarëve.
Blushi shkruan se edhe sikur 20 miliardë euro të dhurojë bota, nuk do të shkojnë në xhepat e shqiptarëve sepse do të shkojnë në xhepat e qeverisë.
“Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon. Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre.
Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese.
Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillo që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni? Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian?
Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?
Duan të sabotojnë ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve.
Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë,”-shkruan Blushi.