Ministrja e Arsimit, Besa Shahini dha lajmin e shkolla “Janaq Kilica” në Fier do të shembet dhe do të ndërtohet një godinë e re. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Shahini tha se po ashtu do të shtohen masat e sigurisë për të patur një organizim sa më të mirë në shkollë. Ndërsa akuzat e hedhura nga opozita ajo i quajti manipulime.
“Sapo u dakordësuam me Kryetarin e Bashkisë Fier për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që ta sjellim në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit. Nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në atë shkollë prej shumë e shumë vitesh. Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës. Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore.”
Vendimi për të ndërtuar një godinë të re për shkollën në Fier erdhi pas helmimit të 60 nxënësve të mërkurën. Nxënësit shfaqën probleme me frymëmarrjen në orën e mësimit dhe u transportuan me urgjencë në spital. Ata tani kanë lënë spitalin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
