Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, duke folur për situatën e krijuar në Shqipëri pas identifikimit të dy personave me koronavirus, theksoi se masat e marra nuk janë në nivelin e duhur.
Shehu, me profesion mjek, tha se, ka kohë ende të merren masa energjike, ndërsa theksoi se besonte që virusi ka qarkulluar në vend prej javësh, duke hedhur poshtë faktin që, dy personat e identifikuar janë rasti zero.
“Pavarësisht se u identifikuan dy raste, njerëzit në Shqipëri duhet të mos përfshihen në panik, të ndjekin me kujdes këshillat e personelit mjekësor për të cilët jam i bindur se do të bëjnë më të mirën pavarësisht se është një sfidë e vështirë.
Kemi kohë të marrim masa energjike në përballimin mjekësor në Shqipëri. Mendoj se është një ardhje e paralajmëruar, ose mund të jetë edhe një ardhje e parandodhur. Është gabim të mendohet se, kjo ndodhi sot dhe ky virus nuk ka qarkulluar në vend prej javësh.
Pse e them këtë gjë? Dëgjova një shprehje të kryeministrit që më la një shije të hidhur, kur thoshte se Shqipëria është e paprekur, tani del e deklarohet se ne gjetëm pacientin zero. Është gabim i madh ta thuash. Të gjesh pacientin zero nuk është e lehtë. Italia akoma nuk e ka gjetur.
T’i vësh edhe adresën këtij pacienti, kur koha që është kthyer është 12 ditore, në Firence nuk ishte identifikuar virusi ende. Këtu lidhet një strategji, nëse e pranojmë se ky është pacienti zero, e gjithë strategjia është rreth tij, izolojmë pacientin, izolojmë njerëzit që ka takuar, dhe nga ana epidemiologjike është kështu.
Por unë mendoj se nuk është kështu, gjetja e këtij rasti, jam i bindur që virusi nuk ka ardhur përmes tij, duhet të shërbejë për rritje maksimale të vigjilencës jo vetëm ndaj këtij pacienti, në gjithë territorin, nxitur, orientuar, stimuluar kujdesi parësor.
Të bëhen sa më shumë ekzaminime, me 56 ekzaminime nuk mund të dalësh në konkluzione, të zgjerohet gama. Ajo që tha kryeministri sot është jo vetëm papërgjegjshmëri, por e rrezikshme, sepse duhet të jemi në një alert total në gjithë vendin”, tha ish-deputeti i PD, Tritan Shehu.



