Skip to content

Meta me kreun e OBSH në Tiranë: Duhet kujdes maksimal, jo panik

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përsëriti këtë të mërkurë thirrjen për qytetarët që të mos përhapin panik për koronavirusin.

 

Ai tha në “Facebook” se e vetmja gjë që duhet bërë është kujdesi maksimal. Kreu i shtetit zhvilloi një takim me kreun e Zyrës së OBSH në Tiranë, Raul Gonzales për të biseduar për masat e marra kundër koronavirusit.

 

“Një bisedë konstruktive me Drejtorin e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, Dr.Raul Gonzalez, lidhur me masat mbrojtëse të marra nga institucionet tona shtetërore për përballimin me pasoja sa më të lehta të coronavirusit. Nuk ka vend për panik, por kujdesi duhet të jetë maksimal nga çdo qytetar! Është i domosdoshëm zbatimi me rigorozitet i protokollove shëndetësore dhe i këshillave të stafeve mjekësore nga të gjithë! SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI!”

 

Pasi u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi tha se është ngritur një task-forcë për këtë situatë. Ai kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo rast nëse nuk marrin shërbimin e duhur.