Skip to content

1 viktimë nga Koronavirusi në Shqipëri, situata pranë “karantinës” së Infektivit në QSUT

ABC News po ndjek nga afër situatën në vend në lidhje me virusin Covid-19.

Siç raporton për ABC News gazetari Juxhin Mustafaraj, situata në spitalin e infektivit në QSUT paraqitet e qetë. Të vetmit që shihen në zonën pranë këtij spitali janë efektivët dhe infermierët që orientojnë qytetarë të ndryshëm të cilët paraqiten të shqetësuar pasi kanë patur historik udhëtimi me Italinë.

Qytetarët që kanë simptoma të Koronavirusit nuk duhet të paraqiten në urgjencën e infektivit në QSUT por mund të kontaktojnë përmes nr. 127 dhe do të jenë mjekët e urgjencës që do të përcaktojnë më tej fazat e ndjekjes.

Në këtë spital, ditën e djeshme janë paraqitur fizikisht të paktën 6 qytetarë ku më pas nga përfaqësues të Infektivit janë orientuar se si duhet të procedonin, ndërkohë ditën e sotme numri i personave që paraqiten është më i ulët.

Familjarët e personave të infektuar që qëndrojnë në këtë spital mësohet se qëndrojnë në distancë me perimetrin e sigurisë. Kontaktet e familjarëve janë me infermierët e infektivit, ata kërkojnë informacione për  gjendjen shëndetësore të familjarëve të tyre./abcnews.al