Skip to content

Bankat këshillojnë shqiptaret: Mund ta merrni virusin nga kontaktet me kartëmonedhat

Koronavirusi është kthyer në kryefjalën e çdo dite. Organizata
Botërore e Shëndetësisë në vazhdimësi jep këshilla të vazhdueshme se si
mund të mbrohemi prej tij duke respektuar kushtet e higjienës dhe duke
shmangur kontaktin e shpeshtë njerëzor. Një përcjellës shumë i mirë i
virusit janë edhe kartëmonedhat. Nga një studim i publikuar edhe në
Daily Mail cilësohet se ky virus mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta
nga 2 orë deri në 9 ditë.

Edhe në Shqipëri, bankat po i këshillojnë klientët të mos përdorin
paranë cash. Në një njoftim dërguar klientëve të saj, Banka Kombëtare
Tregtare i sugjeron që të shmangin prekjen e parave dhe nënshkrimin e
faturës. Banka i këshillon gjithashtu klientët që të shmangin kontaktin
në ambientet në degët e bankave dhe përdorin kanalet dixhitale online si
dhe kartat pa kontakt.

Krahas njoftimeve, bankat kanë marrë dhe masa për të minimizuar
rrezikun e marrjes së virusit në sportelet e bankës dhe për të siguruar
punonjësit e tyre. Në sportelet e Intesa Sanpaolo klientët e mbajnë
radhën jashtë dhe përpara se të futen janë të detyruar nga personeli i
ruajtjes fizike që të dezinfektojnë duart. Klientët duhet të mbajnë dhe
një distancë rreth gjysmë metri nga sporteli.

Edhe Union Bank në një njoftim për klientët thotë se për shkak të
situatës aktuale, ka ndërmarrë disa masa që synojnë parandalimin e
përhapjes së virusit nëpërmjet disa rregullave, si hyrja e kontrolluar e
klientëve në degët e Bankës, mbajtja e distancës të klientëve që presin
jashtë. Banka thotë se është e këshillueshme që në bankë të mos hyjnë
persona që kanë udhëtuar së fundmi në vende të konsideruara me
rrezikshmëri të lartë nga OBSH, si: Kina, Italia, Koreja e Jugut dhe
Irani.

Të gjitha bankat i këshillojnë klientët që të kryejnë pagesat online, për të shmangur kontaktet fizike.

Risku i marrjes së viruseve nga kartëmonedhat

Risku i marrjes së korona virus nga kartëmonedhat është i
konsiderueshëm. Kartëmonedhat si një mjet këmbimi qarkullojnë me
shpejtësi të lartë në duar të njerëzve të ndryshëm që i përdorin ato për
transaksione dhe blerje të përditshme. Kontakti njerëzor në ambiente
publike, institucione, banka etj na ekspozon më tepër ndaj korona
virusit.

Për të shmangur ose minimizuar këto risqe OBSH udhëzon përdorimin e
metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu
Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur
kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë
konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të
kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të
shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat.

Për të shmangur ose minimizuar këto risqe OBSH udhëzon përdorimin e
metodave më të zgjuara për nevojat tona të përditshme si Bankingu
Digjital dhe Pagesat Contactless (Pa Kontakt) për të shmangur
kartëmonedhat e kontaminuara. Ekspertët e shëndetit këshillojnë
konsumatorët që të përdorin kartat e debitit ose të kreditit për të
kryer blerjet në supermarkete, karburante, farmaci etj në mënyrë që të
shmanget marrja e korona virusit nga kartëmonedhat, shkruan ‘monitor’.

Këto produkte dhe shërbime Bankare janë disa masa të tjera shtesë për
t’u mbrojtur nga korona virus të cilat janë duke u ndjekur tashmë jo
vetëm në Kinë, të cilët po bllokojnë përdorimin e kartëmonedhave për
parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, por edhe në vende të
tjera më të zhvilluara në Europë dhe Amerikën e Veriut.

Shqipëria ka përdorimin më të ulët të kartave dhe shërbimeve online

Ndërsa këshillohet pasja e sa më pak kontakteve me paranë, Shqipëria
ka një prej ekonomive më të mëdha cash në Evropë (22% e totalit të
parasë është jashtë bankave), ndërsa ka dhe përdorimin më të ulët të
kartave bankave dhe shërbimeve online.

Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria kishte
44 karta krediti për 1,000 banorë në vitin 2018. Ndonëse ka ardhur në
rritje në raport me vitet e mëparshme (treguesi ishte 28 në 2013-n),
sërish kemi përdorimin më të ulët të tyre në Europë.

Nivel të ulët kanë dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Mali i Zi
(64), Kosova me 131 karta për 1000 banorë, që gjithsesi është tre herë
më i lartë sesa i joni, Bosnja (140).

Më mirë në rajon janë Maqedonia (214) dhe Serbia (202).

Në shtetet e Europës Perëndimore, karta e kreditit është një mjet i
zakonshëm pagese, ku çdo i rritur e zotëron një të tillë. Rekordin në
Europë e mban Norvegjia, me 1,592 karta për 1,000 banorë, pra
mesatarisht çdo banor ka më shumë se një kartë, e ndjekur nga Spanja
(1,287), Suedia (1,062).

Të dhëna të tjera, po të FMN-së treguan se Shqipëria ka numrin më të
ulët në Europë të ATM-ve (Automated Teller Machine), apo makinerive që
ju lejojnë të tërhiqni paratë nëpërmjet një karte. Të matura për 100
mijë banorë, vendi ka 30 ATM, që është gati 6 herë më e ulët se në
Austri, shteti që mban rekord në Europë.

Nga vendet e tjera të rajonit, numër të ulët ka Kosova, me 35 ATM për
100 mijë banorë, Serbia (49), Bosnja (55), Maqedonia (60) Mali i Zi
(87).

Të dhëna të tjera të FMN-së treguan se Shqipëria është përkeqësuar në
shtatë nga dhjetë treguesit që merr parasysh vrojtimi i Fondit Monetar
Ndërkombëtar për Aksesin Financiar për vitin 2018. Të dhënat treguan se
numri i automateve është 30.43 për 100 mijë të rritur, ndërsa treguesi i
mëparshëm ishte 30.47. Treguesi i dytë me rënie është ai i degëve
komerciale të bankave për 100 mijë të rritur. Nga 20.56 që ishte në
vitin 2017, ky tregues, sipas FMN, në vitin 2018 është regjistruar
30.43. Numri i depozituesve në bankat komerciale për 1000 të rritur
ishte 1.085 në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 ishte 1.033. Numri i
huamarrësve nga bankat për 1000 të rritur rezulton 139.18 për vitin
2017, ndërsa ishte 137.51 vitin e shkuar.