Ish Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, ka përshëndetur përzgjedhjen e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Xhafaj shprehet se ky është një tjetër hap i rëndësishëm për drejtësinë e re.

“Urime dhe suksese tre gjyqtarëve të rinj, z.Sadushi, z.Panda & z.Pupe. Filloi sot rrugëtimi i ri i Gjykatës së Lartë për drejtësinë e Re. Një hap pozitiv përpara dhe kryesorja një zgjedhje e shkëlqyer me tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë”, nënvizon Xhafaj.

Më tej ai shpreh besimin edhe për tejkalimin e sfidave që gjenden përpara.

“Përpara gjendet një sfidë e jashtëzakonshme me situatën aktuale dhe besoj fort se do t’ia dalin. Të tre profesionistë, ndër më të mirët në fushat respektive, të njohur për integritetin që mbartin dhe për aftësitë e çmueshme profesionale”, shkruan deputeti socialist.

Xhafaj, përgëzon edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për përzgjedhjen duke apeluar që edhe emrat e rinj të jenë pot ë këtij niveli.

“Përgëzime KLGj-së për procesin e realizuar dhe kryesorja për përzgjedhjen cilësore. Një dëshmi e përgjegjshmërisë së tyre në këtë proces. Le të shpresojmë se do të kemi përzgjedhje të këtij niveli edhe për emrat e tjerë në vijim”, tha ai duke theksuar se:

“Ka rëndësi ritmi i shpejtë në këtë proces, por mbi të gjitha cilësia e përzgjedhjes, integriteti dhe profesionalizmi i tyre. Bëhët fjalë për Gjykatën e Lartë, autoritetin kyç dhe imazhin e gjyqsorit besimin e qytetarëve te drejtësia e Re”, përfundon Xhafaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re