Nënkryetari i PD, Edi Paloka denoncoi se në Shqipëri mungojnë tamponet e testimit për koronavirusin. Përmes një postimi në “Facebook”, ai tha se tamponet po mbarohen nga deputetët e mazhorancës që janë “sulur” për të bërë analizat.
“OBSH deklaroi dje se “testimi i shpejtë e i sa më shumë qytetarëve, është mënyra më e mirë për të luftuar përhapjen e COVID-19”. Në Shqipërinë që funksionon sipas urdhrave nga bunkeri, janë bërë vetëm 500 testime, ndërkohë që pretendohet se laboratori i ISHP mund të bëjë me qindra në ditë dhe janë evidentuar, siç deklarojnë zyrtarët e Ramës të paktën, mbi 51 të infektuar deri tani. Raporti pra, 1 i infektuar në çdo 10 të testuar. Po ndërkohë që OBSH, testimin e sheh si mënyrën më të mirë për të ndaluar përhapjen e virusit, në Shqipëri mungojnë tamponet e testimit dhe ato pak që janë i përdorin deputetët e Ramës. Pse ndodh kjo?!”
Duke e quajtur Edi Ramën të keqen më të madhe të shqiptarëve, Paloka e akuzoi kreun e qeverisë se po i vdes qytetarët për bukën e gojës.
“Vetëm Vilmës për Check-up dhe hajdutit të laboratorëve do t’u japë 15 milionë euro , po asnjë qindarke nga këto nuk do të përdoret për koronavirusin. Pra 15 milionë euro që shkojnë gjoja për testimin shëndetësor të shqiptarëve, po asnjë qindarkë prej tyre nuk pranon të përdoret kundër “armikut të egër”; të gjitha në xhep. Kërcënon me gjoba e masa represive ata që mund të detyrohen të dalin për të siguruar bukën e gojës, po nuk e fut dorën në thesin e milionave që ndan me PPP e tij. Shqiptaret le të vdesin, milionat nuk preken. As “thesin e miellit” nuk u jep të pamundurve sot, se ai “thesi i miellit” i duhet për t’iu blerë prapë votën nesër… Fatkeqësia, “armiku i egër” dhe e keqja më e madhe që u ka rënë shqiptarëve, mbetet Edvin Rama!”



