“Unë jam mjek dhe specialist i sëmundjes infektive. Unë kam parë
pacientë të sëmurë çdo ditë për më shumë se njëzet vjet”,
vetëprezantohet kështu Abdu SharkaWy, një infektolog i mirënjohur
kanadez, i cili thotë se është i frikësuar nga humbja e arsyes dhe
përhapja e një vale paniku në masë. “Kam punuar si në spitale luksoze
urbane so në zonat më të varfëra të Afrikës. HIV-AIDS, hepatiti,
tuberkulozi, SARS, fruthi…, ka pak prej epidemive të njohura me të cilat
nuk kam qenë i ekspozuar ndaj tyre. Dhe me përjashtim të SARS-it, pak
prej tyre më kanë bërë të ndjehem i prekshëm apo i frikësuar”, thotë ai.
“Nuk kam frikë nga COVID-19. Unë jam i frikësuar nga implikimet e një
‘agjenti të ri infektiv’ që po përhapet në botë. Sigurisht, jam i
shqetësuar për njerëzit e moshuar me shëndet të varfër ose në rrethana
të një shërbimi të dobët mjekësor, të cilët do të preken në mënyrë
disproporcionale nga ky përbindësh i ri. Por nuk më tremb COVID-19.
Ajo që më shqetëson është humbja e arsyes dhe vala e frikës që i ka
çuar masat në një spirale të egër paniku, duke grumbulluar sasi të
paarsyeshme të çdo gjëje që mund të mbushë vetëm një vendstrehim në
botën post-apokaliptike. Shqetësohem për maskat N95 që janë duke u
vjedhur nga spitalet dhe klinikat e urgjencës, ku ato janë vërtet të
nevojshme për personel mjekësor të ekspozuar direkt dhe përdoren në vend
të kësaj në aeroporte, qendra tregtare dhe kafene, duke provokuar
kështu më shumë frikë dhe ankth.
Shqetësohem se spitalet do të pushtohen dhe nga ata që mendojnë se
‘mbase nuk kam gjë por mund ta kontrolloj’ dhe të gjithë ata me pneumoni
që duhet të paguajnë çmimin për dhomat e pritjes të mbushura me njerëz,
përballë një numri të kufizuar mjekësh dhe infermierësh në dispozicion.
Kam frikë se kufizimet e udhëtimit do shkojnë aq larg saqë dasmat,
ceremonitë e diplomimit dhe eventet familjare do të anulohen. Mund ta
imagjinoni ndonjëherë se po ndodh?
Shqetësohem se të njëjtat frikë nga kjo epidemi do të kufizojnë
tregtinë, do të dëmtojnë partneritetet në sektorë të ndryshëm, dhe
përgjithësisht do të shkaktojnë një recesion global. Por mbi të gjitha,
shqetësohem nga mesazhi që u dërgojmë fëmijëve tanë kur jemi të
ekspozuar ndaj një kërcënimi. Në vend të sensit të përbashkët,
racionalitetit, hapjes dhe altruizmit, ne i mësojmë ata që të
frikësohen.
Ne jemi larg nga zgjidhja e situatës me Covid-19. Ai do i afrohen
qytetit, spitalit, mikut tuaj ose madje edhe një anëtari të familjes
afër jush. Priteni atë! Dhe ndaloni të prisni për t’u çuditur më tej.
Fakti është, virusi në vetvete nuk do të shkaktojë shumë dëm kur të
vijë. Por sjellja dhe qëndrimi ynë i ‘luftës për veten tuaj mbi gjithçka
tjetër’ mund të jenë katastrofike.
Prandaj, ju ftoj të gjithëve! Luftoni frikën me arsyen, panikun me
durim dhe pasigurinë përmes edukimit. Ne kemi mundësinë të mësojmë shumë
rreth higjenës së shëndetit dhe të kufizojmë përhapjen e shumë
sëmundjeve ngjitëse në shoqëri. Le të përballemi së bashku me një sfidë
në frymën më të mirë të dhembshurisë për të tjerët, durim dhe, mbi të
gjitha, një kërkim të pandalshëm për të vërtetën, fakte dhe njohuri
kundër supozimeve, spekulimeve dhe katastrofës.
Faktet nuk janë të frikshme… Lani duart dhe hapni zemrat tuaja! Kështu fëmijët tanë do të jenë mirënjohës për ne!”.
