Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po nxit pasiguri në një moment të tillë që ai e konsideron kohë lufte.

Sipas Ramës, shteti nuk mund të paguaj gjithçka për qytetarët dhe ata të vazhdojnë jetën normalisht si në kohë paqeje, ndërkohë që situata nuk është e tillë.

Gjatë një lidhje për “Top Channel”, Rama tha se “të bësh poezi në kohë lufte është e papërgjegjshme”.

Edi Rama: Të gjithë duhet të sillemi në jetën e përditshme sikur e kemi koronavirusin. Çfarë ndryshon nëse bëj një test dhe tregon se jam i infektuar? Edhe nëse do ta bëja testin dhe do të thoshte se ka dalë pozitiv, doktorët do të më thoshin rri në shtëpi. Unë jam sot me ju dhe nëse do të kisha ato simptoma do të isha në shtëpi. Nuk ka asnjë ilaç përveç trajtimit të zakonshëm me gripin që jemi mësuar.

Në spital shtretërit janë për ata që kanë nevojë për ndihmë të specializuar jo për ata që kanë temperaturë. Ata që kanë temperaturë si një grip të zakonshëm edhe nëse bëjnë testin, do të rrijë në shtëpi.

Zvicra një nga shtetet më të pasura të botës teston vetëm ata mbi 65 vjeç dhe të tjerëve u thotë rrini në shtëpi. Ruan “fishekët” për ata që do të vijnë në spital. Ata që nuk kanë probleme shëndetësore të mëparshme dhe nëse kanë virusin, duhet të rrinë në shtëpi. Kaq!

Në të gjithë botën, opozita bëjnë poezi dhe qeveritë prozë. Të bësh poezi në kohë lufte është e papërgjegjshme. Unë nuk qesendis opozitën. Jam i detyruar të reagoj kur shoh që opozita e vendit tonë në mënyrën më të pajustifikueshme nxit pasiguri dhe përhap panik apo siç ka bërë edhe me maskat.

Të thuash që të mos paguajmë drita, të mos paguajmë tatime dhe ndërkohë që qeveria t’u japë qytetarëve gjithçka do të thotë të bësh poezi dhe në mënyrën më të papërgjegjshme të sabotosh një përpjekje për të qenë bashkë në luftë.

Për sa më takon, unë po ju them njerëzve që do të bëjmë gjithçka që mund të bëhet në këtë tokë që populli ynë t’ia dalë kësaj sfide dhe të nesërmen e largimit të armikut nga territori ynë jeta të rifillojë përsëri dhe të mos jemi të shtrirë përtokë.

Nuk është bërë deti kos dhe nuk ka një mundësi objektive që qeveria, shteti të marrë përsipër që njerëzit në luftë të jetojnë si në paqe duke mos punuar si në kohë të luftës. Lufta është mbijetesë dhe jo të jetoj unë si në kohë paqeje dhe të luftojë tjetërkush.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re