Mbi 50 shtetas shqiptarë janë bllokuar në Kapshticë dhe nuk lejohen të futen në Shqipëri. Burra, gra, të moshuar dhe fëmijë kanë 2 ditë të bllokuar në kufirin Greqi-Shqipëri dhe e kanë kaluar natën jashtë, në tokë neutrale.
Njëri prej tyre, në një prononcim për mediat, i ka bërë thirrje shtetit për ndihmë, ndërsa lajmëron se ka edhe të sëmurë.
“Që ditën e premte kemi ngelur në kufirin Greqi-Shqipëri. Jemi emigrantë, me letra greke, kthehemi për arsye familjare. Iu kemi thënë se çfarë problemesh kemi por thonë se kemi urdhër që të mos iu lëmë të hyni. Vetëm ata që marrin urdhër nga Ministria e Jashtme. Ka dhe të sëmurë. Është një 60-vjeçar mes nesh me probleme shëndetësore, kemi njoftuar ambulancën dhe nuk ka ardhur. Para 30 minutash punonjësit na kanë marrë emrat, po presim”, u shpreh Mhill Steaj në Kapshtica.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kufijtë nuk do të hapen deri sa të marrë fund pandemia e koronavirusit. Rama i ka quajtuar ata “mine me sahat”.
“Mos kërkoni dhe mos tentoni të vini sepse kufiri është i mbyllur. Ne nuk jemi një vend që mund të përballojmë hapjen e kufijve dhe të mbledhim të gjitha bombat këtu ndërkohë që jemi duke iu afruar mesit të kësaj lufte. Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja. Rrini atje ku rrini”, tha ai.
