Koronavirusi është e panjohura e madhe që ka krijuar frikë dhe ankth tek të gjithë. Pandemia ka mbërthyer botën, duke krijuar një situatë të pazakontë në mbarë globin. Mbi një million e 300 mijë njerëz janë infektuar, ndërsa rreth 74 mijë persona raportohet se kanë humbur jetën deri më tani.

COVID-19 nuk është një shaka dhe këtë e dëshmojnë më së miri personat që janë përballur me virusin vdekjeprurës.

Një prej tyre është shqiptari Gëzim Ethemi, i cili jeton prej vitesh në Londër, Britani e Madhe bashkë me bashkëshorten dhe 3 fëmijët.

Në një intervistë për Gazetën SHQIP ai ka rrëfyer kalvarin e gjatë të vuajtjeve, frikën nga ky virus i panjohur dhe si arriti të fitonte betejën fort të vështirë me Covid-19.

Edhe pse gëzonte shëndet të plotë dhe kurrë nuk kishte pasur problem të theksuara shëndetësore, për 49-vjeçarin lufta nuk ishte aspak e lehtë.

Ethemi tregon për SHQIP se ka qënduar për 2 ditë me frymëmarrje të komanduar, pasi gjendja e tij shëndetësor u rëndua.

“Mos e merrni si shaka, izolohuni, mbroni jetën tuaj”, është thirrja e fortë që babai i 3 fëmijëve bën për të gjithë shqiptarët gjatë kësaj periudhe të vështirë për të gjithë.

Duke ju uruar shërim sa më të shpejtë, a mund të na thoni si është shëndeti juaj aktualisht?

Tani falë Zotit dhe bluzave të bardha, superheronjve tanë, ndodhem në shtëpi në gjendje të mirë pa asnjë shqetësim. Testet më dolën negative.

Si mendoni se mund të jeni infektuar?

Nuk e di si dhe ku mund të jem infektuar, pasi kam qenë në kontakt me shumë njerëz. Nuk dihet si mund të biem në kontakt me virusin, ndaj është shumë e rëndësishme që të ruhemi duke respektuar masat. Është e domosdoshme që të mos keni kontakt me njerëz të tjerë, të ruani distancën. Duhet ta merrni shumë seriozisht.

Cilat ishin simptomat që ju detyruan që të shkoni në spital?

Unë qëndrova 10 ditë në shtëpi me temperaturë të lartë më shumë se 39 gradë dhe pastaj fillova te kem probleme edhe me frymëmarrjen. U detyrova që të marr ambulancën dhe të shkoj në spital. Pastaj qëndrova 2 ditë në reanimacion me frymëmarje të detyruar me respirator, më pas u përmirësova dhe qëndrova gjithsej 7 ditë në spital. Pas kësaj bëra analizat dhe për fat të mirë dola negativ ndaj Covid-19.

Si një person që jeni përballur me këtë virus vdekjeprurës, cilat janë këshillat tuaja për të gjithë shqiptarët?

Shqiptarët nuk duhet ta marrin kaq lehtë. Unë nga Londra po shoh që atje në Shqipëri ata dynden në pazar, në tregje, dalin shëtitje. Ju lutem izolohuni, mos dilni nga shtëpia pa arsye. Mos i vini në vështirësi punën e forcave të rendit, të bluzave të bardha dhe çfarë është më e rëndësishmja, mos rrezikoni jetën tuaj.

Ju uroj të gjithë shqiptarëve që Zoti ju ruajttë dhe uroj të mos e përjetoni këtë tmerr që unë kalova.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko