Federata Shqiptare e Futbollit ka përshëndetur punën e të gjithë punonjësve në sistemin e shëndetësisë, që po përballen me guxim me virusin vdekjeprurës Covid-19.
“Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanellë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot në Ditën Botërore të Shëndetit, fanellat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË!”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.
Institucioni numër 1 i futbollit shton se emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre!
“Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë.
Ne sërish bëjmë thirrje që të qëndrojmë në shtëpitë tona, si përpjekja më e mirë për të ndaluar përhapjen e virusit. Kjo është mbështetja më e madhe që mund tu japim mjekëve tanë, që kanë lënë familjet e tyre dhe ditë e natë po rrezikojnë jetën për ne duke u ndeshur me virusin!
Ne krenohemi me ta. Ne besojmë se shumë shpejt, të gjithë së bashku do ta fitojmë këtë ‘ndeshje’!” ishte reagimi i FSHF-së.