Skip to content

Të fundit në Europë, Shqipëria vendi me financimet më të ulëta për shëndetësinë

Shqipëria është vendi i fundit europian për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).  Në krahasimin e bërë me 43 shtete europiane, sipas FMN, shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja europiane për këtë tregues ishte 6%.

Shqipëria renditet edhe më dobët se vendet e Rajonit, pasi Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi shpenzojnë më shumë për shëndetësinë. Konkretisht, sipas Monitor, Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë, Kroacia 6.4%, Maqedonia 4.3%, Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1%.

Sipas Bankës Botërore, shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre 50% të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës, këto pagesa janë shumë të ulëta. Në Turqi, pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9%.

Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7%; në Malin e Zi, 42.8%; në Serbi 36.6% dhe në Bosnjë, 27.9%. Në vendet europiane, këto pagesa janë shumë të ulëta, mesatarisht nën 15% e së gjithë kostos. Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe mund të krahasohet me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë.

Investimi i Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi ka qenë nën mesataren rajonale dhe programi ekonomik i qeverisë planifikon të ulë edhe më tej pjesën e shpërndarjes së buxhetit në arsim dhe shëndetësi.  Qeveria ka në plan të ulë shpenzimet në shëndetësi të cilat, sipas Monitor, do të bien në 2.7% të PBB në periudhë afatmesme.

Politika të tilla ndaj sektorëve kyç në vend kanë shkaktuar edhe largimin e “trurit” nga vendi ynë. Qindra shqiptarë të diplomuar janë drejtuar kryesisht drejt Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera, duke dhënë kontributin e tyre shkencor larg atdheut.