Shkodra e cilësuar si “bomba” më e re Koronavirusit në Shqipëri është kthyer në një përplasje të fortë politike mes qeverisë dhe opozitës. Kryebashkiakja në detyrë, Voltana Ademi ka akuzuar qeverinë për mos marrjen e masave të duhura për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pas një inspektimi në Shkodër akuzoi kryebashkiaken për pamundësinë.
Kjo luftë e re politike ka shqetësuar siç duket ndërkombëtarët, ku ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka zhilluar një bisedë online me Ademin, për t’u njohur më nga afër situatën.Dhe kjo ka qenë kryetema e diskutimit mes Kim dhe kryebashkiakes në detyrë.
“Kënaqësi që takova (virtualisht) Voltana Ademin. Ju falënderoj që keni marrë të gjitha masat për t’i mbajtur qytetarët e Shkodrës të sigurtë dhe të shëndetshëm. Pres t’ju vizitoj nga afër sa më shpejt të jetë e mundur, por për momentin, të gjithë le të rrinë në shtëpi” shkruan Kim në Twitter.
Ndërsa Ademi nga ana e saj thekson se e ka falënderuar ambsadoren Kim për për interesimin dhe mbështetjen e treguar në vazhdimësi për Shkodrën, nga ajo personalisht, por edhe nga Ambasada Amerikane, edhe në këto ditë jo të lehta që po kalojmë.
“Gjatë bisedës, informova Ambasadoren lidhur me përballimin e situatës në Bashkinë e Shkodrës, masat e marra për parandalimin e përhapjes së virusit, për mbështetjen e individëve dhe familjeve në nevojë, për bashkëpunimin dhe punën e Bashkisë Shkodër me institucionet dhe qytetarët, me organizatat e shoqërisë civile dhe biznesin. Bashkia e Shkodrës do të bëjë çdo gjë, duke vënë të gjithë kapacitetet e mundësitë e saja, për të kaluar me sa më pak pasoja përballjen me COVID19, për të ndihmuar çdo ditë në vazhdimësi, duke shkuar tek secila familje!”, shprehet kryebashkiakja në detyrë.
Më tej ajo shton se “unë e besoj, dhe e sigurova Ambasadoren, se Shkodra dhe shkodranët, me qytetarinë, karakterin, me solidaritetin në ditë të vështira dhe bashkëpunimin që i karakterizon do ta përballojnë këtë sfidë. Kjo është e mundur! Nëse qëndrojmë në shtëpi dhe mbajmë higjienën personale”.
Shkodra regjistroi një rast të ri infeksioni me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar në 45 numrin e rasteve. Ndërsa një ditë më parë u vizitua dhe nga presidenti Ilir Meta, i cili u njoh më afër për situatën e krijuar.