Sot, Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë përcaktuan planet për një reagim të fuqishëm dhe të synuar të BE-së për të mbështetur përpjekjet e vendeve partnere në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Veprimi kolektiv i BE-së do të përqendrohet në trajtimin e krizës së tanishme shëndetësore dhe nevojave humanitare që vijnë prej saj, forcimin e sistemeve të shëndetësisë, ujit dhe kanalizimeve të vendeve partnere, si dhe kapaciteteve të tyre kërkimore dhe të gatishmërisë për ta përballuar pandeminë, si dhe për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik.

Për të mbështetur këto veprime, BE-ja do t’ju sigurojë vendeve partnere mbështetje financiare që arrin në më shumë se 15.6 miliardë Euro nga burimet ekzistuese të veprimit të jashtëm.

Në Shqipëri, 4 milionë Euro janë kontraktuar tashmë për furnizimin me pajisje mjekësore të shpëtimit të menjëhershëm të jetës. BE-ja ka krijuar partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit, në mënyrë që kjo mbështetje të sigurojë artikujt e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur (ventilatorë, ambulanca, aparatura portative për ekzaminimin me rreze x, shtretër për Njësitë e Përkujdesjes Intensive, si dhe materiale mbrojtëse dhe dezinfektantë për punonjësit e kujdesit shëndetësor).

BE-ja do të sigurojë gjithashtu 46.5 milionë Euro për të mbështetur rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.

Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka mobilizuar ndërkaq fonde të konsiderueshme për mbështetje të menjëhershme të sektorit të shëndetësisë që arrijnë në 38 milionë Euro. Për më tepër, mbi 374 milionë Euro janë rialokuar për t’i ndihmuar partnerët të zbusin ndikimin socio-ekonomik të pandemisë.

Kjo do të ndihmojë për të trajtuar ndikimin socio-ekonomik të epidemisë, në veçanti për bizneset më të prekura, përfshirë kompanitë që punojnë në sektorët e turizmit dhe transportit. 290 milion Euro shtesë do të ndihmojnë gjithashtu për rimëkëmbjen socio-ekonomike të të gjithë rajonit. Po ashtu, prokurimi i infrastrukturës dhe pajisjeve shëndetësore në shkallë të vogël pritet të fillojë për 90 milionë Euro në Turqi. Në total, BE-ja do t’i mbështesë me 800 milionë Euro partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të përballuar koronavirusin.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, tha: “Si pjesë e reagimit tonë global ndaj pandemisë së koronavirusit ne po ridrejtojmë mbi 3.8 miliardë Euro fonde të parashikuara për Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët tanë të afërt në Lindje dhe në Jug, atje ku nevojat e tyre reale janë sot: për reagim urgjent ndaj krizës shëndetësore, për forcimin e sistemeve shëndetësore dhe zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të pandemisë. Ne ndajmë të njëjtin kontinent dhe mund t’ia dalim mbanë vetëm së bashku”. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko