Skip to content

Ndryshimet në Kodin Penal/ Kryeministri i përgjigjet shoqërisë civile: Nuk kemi rrugë tjetër

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj shoqërisë civile që shfaqi qëndrim kundër në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga qeveria, ku ashpërsohen masat ndëshkimore për të gjithë ata që shkelin rregullat e vetizolimit.

“Shoqatat s’duan asgjë në Kodin Penal për mbrojtjen nga epidemia?!Po daljen e njerëzve nga shtëpia e duan?!Po rivënien në lëvizje të ekonomisë e duan?!Po rrezikun e infeksionit kur hapemi e kanë menduar?!E pra, nuk kemi rrugë tjetër për t’u hapur pa rrezikuar të humbim gjithçka!

Kështu që nëse kanë propozime konkrete për përmirësime bujrum pa humbur kohë, sepse s’mund të jemi i vetmi vend në planet që s’ka asgjë në Kodin Penal për të mbrojtur popullin nga kërcënimi i jetës, në kushtet e epidemisë! Përmirësime po, tërheqje as që bëhet fjalë fare.”, shkroi Rama në Twitter.

Ashpërsimi i masave ndëshkimore për personat që shkelin rregullat e vetizolimit dhe daljet nga jashtë orareve të shtetrrethimit që parashikohen të realizohen me ndryshimet e Kodit Penal dhe Kodit Rrugor kundërshtohen nga 21 organizata të shoqërisë civile.

Me anë të një deklarate për mediat këto shoqata kanë kërkuar që Kuvendi të mos i realizojnë, duke paraqitur arugmentet e tyre se pse duhen rrëzuar.

Organizatat ngrenë shqetësimin për ndryshimet e fundit të propozuara në Kodin tonë Penal, të cilat dënojnë penalisht disa forma të mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1) dhe disa forma të shkeljes së rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (242/2).