“Nga dogana e vjetër e mundimeve shumëvjeçare të importuesve dhe eksportuesve, në doganën moderne pa kontakt fizik mes sipërmarrësve e doganierëve, falë revolucionit dixhital që e bën sipërmarrësin zot të aktivitetit të tij dhe shfaros korrupsionin e ul në mënyrë drastike kohën e kalimit në doganë”. Kështu e vlerësoi Kryeministri Edi Rama situatën e re të krijuar në Dogana, gjatë një inspektimi të kryer pranë Administratës Doganore.
Duke e cilësuar si një moment historik transformimi, Kryeministri theksoi se tashmë jemi në kohën e një revolucioni në ofrimin e shërbimeve online dhe se alternativa tradicionale përmes komunikimit të dokumentacionit dorazi nuk do të ekzistojë më.
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, znj. Belinda Ikonomi duke bërë një prezantim të shpejtë të ambienteve u shpreh se prej ditës së sotme janë publike 7 shërbime elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe mund të aksesohen nga ana e bizneseve përmes portalit e-Albania.
“Biznesi ka akses në sistemin tonë dhe nëpërmjet fishës që merr nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit plotëson dokumentacionet online. Ky është një hap që të çon drejt doganës pa letër. I gjithë dokumentacioni që dorëzohet këtu shkon më pas tek Zyra e Vlerësimit Doganor”, shpjegoi znj. Ikonomi.
Po cilat janë 7 shërbimet e reja elektronike në funksion të biznesit?
Autorizim për Regjim të Lejimit të Përkohshëm me Përjashtim të Pjesshëm
Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë furnitori
Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë kategorie produkti
Autorizim për regjim të lejimit të përkohshëm me përjashtim të pjesshëm
Autorizim për regjim të magazinimit doganor
Autorizim për regjim të përpunimit aktiv
Autorizim për regjim të përpunimit pasiv
Shërbimet e mësipërme i shtohen edhe një tjetër shërbimi elektronik që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ofron prej dy vitesh në portalin e-albania: Aplikimi për administrimin e një magazine fiskale (regjistrim për akcizë).



