Skip to content

Shpresë në Spanjë, numri i viktimave ulet për të tretën ditë radhazi

Shifrat e fundit të ministrisë spanjolle të Shëndetësisë konfirmuan se 510 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit 24 orët e fundit, duke shënuar dhe numrin më të ulët që nga 23 marsi.

Kështu, numri i viktimave shënon rënie për ditën e tretë radhazi.

Vendi shënon një total prej më shumë se 161 mijë të prekurish dhe mbi 16 mijë viktima. Të dhënat dëshmojnë se masat  për izolimin e popullsisë janë duke dhënë rezultat dhe mund të thuhet se vendi është në të ashtuquajturën fazë stabilizimi.

Gjendja e emergjencës në Spanjë si pasojë e koronavirusit u shpall në 14 mars dhe është shtyrë sërish deri në 26 prill.

Kryeministri i vendit Pedro Sances, theksoi se një tjetër shtyrje e afatit ishte e pashmangshme. Pavarësisht mbylljes së vendit, nga e hëna ose e marta, javën e ardhshme, disa punëtorë do të lejohen të shkojnë në vendet e tyre të punës në fabrika dhe ndërtim. Ndërkohë që në stacionet e metrove dhe të autobusëve do të shpërndahen maska.

Ministria e shëndetësisë paralajmëroi se vendi do të mbetet sërish nën masa të ashpra sigurie deri në një njoftim të dytë.