Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa dha alarmin për gjendjen e rënduar ekonomike, sipas tij, në Luginën e Preshevës. Në një lidhje me “Skype” për emisionin “7 pa 5” të gazetares Pranvera Borakaj, Mustafa tha se rrezikohet një katastrofë njerëzore.

“Situata është vështirësuar tashmë shumë. Kjo situatë ka vënë në pah nevojën për mborjtje sekondare shëndetësore për të cilën institucionet mungojnë në Luginën e Preshevës. Kemi vetëm mbrojtje shëndetësore primare, siç janë qendrat shëndetësore. E gjithë Serbia ashtu siç është shpallur situata e jashtëzxakonshme, është në një vetëizolim total edhe Presheva, edhe Medvegja edhe Bujanovci. Nuk funksionon ekonomia, bizneset, çka e ka vënë edhe në një vështirësi më të madhe jetën e përditshme të qytetarëve të Luginës së Preshevës. Unë shpresoj që kjo të mos kthehet në një katastrofë sepse kryesisht jetesën qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë siguruar nga ekonomitë familjare, bizneset familjare dhe remitancat që kanë ardhur nga Perëndimi. Duke pasur paraysh gjendjen në të cilën ndodhen edhe Perëndimi, edhe rajoni, unë shpresoj që kjo të mos ndikojë në një katastrfoë humanitare.”

Sipas tij, as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë kontribuar me asgjë deri tani për shqiptarët që ndodhen në Luginën e Preshevës. Sipas tij, ata janë lënë në mëshirë të fatit dhe sytë i kanë vetëm nga familjarët emigrantë në vendet e Perëndimit, të cilët i kanë ndihmuar gjithmonë.

“Deri tani, mesa kam kuptuar, nuk ka patur asnjë ndihmë konkrete, qoftë nga Kosova, qoftë nga Shqipëria. Nevojë të madhe ka për stafin shëndetësor, për mbrojtjen me maska dhe doreza, mbrojtjen e njerëzve që janë në linjën e parë të mbrojtjes nga koronavirusi. Nuk ka një spital të specializuar, të gjitha rastet dërgohen për trajtim në spitale të tjera ku asnjë shqiptar nuk punon dhe nuk ka punuar deri më sot. Deri më tani sa i takon qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, përveç disa rasteve të disa studentëve që kanë shprehur kërkesë për t’u kthyer në shtëpitë e veta, në këtë fazë të krizës, deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndihmë konkrete. Unë shpresoj që edhe në qeverinë e Shqipërisë, edhe në atë të Kosovës, janë duke e ndjekur situatën në përgjithësi dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës. Më shumë se kurrë, jemi të lënë në mëshirë të fatit.”

Për Ragmi Mustafën, si qeveria e Shqipërisë, ashtu edhe ajo e Kosovës, e kanë për detyrë të ndihmojnë shqiptarët që ndodhen në Luginën e Preshevës. Ai theksoi se është momenti të ketë ndihma konkrete dhe jo vetëm premtime boshe.

“Unë kërkoj që edhe qeveria e Shqipërisë, ashtu siç e ka të përcaktuar në Kushtetutë, edhe qeveria e Kosovës që ka të drejtë morale të tregojë solidaritetin dhe vëmendjen e mjaftueshme për nevojat dhe kapërcimin e kësaj situate shumë të rënduar globale. Sigurisht që pres një reagim, po shpresoj që edhe ky emision do t’i thërrasë dhe do të jetë një alarm, një kambanë për ata që vendosin për këtë çështje. Prandaj, i ftoj që të kenë vëmendjen e mjaftueshme edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, jo vetëm me premtime dhe deklarata koti, por me ndihma konkrete sa u takon pajisjeve shëndetësore primare dhe ndihmës solidare për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Si nga qeveria e Kosovës, ashtu edhe nga e Shqipërisë, besoj se e kanë obligim të kenë vëmendjen edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko