Skip to content

Procedim penal për berberin e pabindur dhe për kontrabanduesit e mallrave

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht pesë persona pasi kanë shkelur masat për parandalimin COVID-19.

Në Durrës, për të dytën herë u kap shtetasi N. K., i cili ushtronte aktivitetin e berberit në kundërshtim me rregullat. Ky shtetas ishte konstatuar nga Patrulla e Përgjithshme edhe më datë 7 prill, duke ushtruar aktivitetin e berberit në mënyrë të paligjshme. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës u mor masa e pezullimit të aktivitetit për 6 muaj.

Kurse në Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H. dhe D. K., të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”. Këta shtetas janë proceduar penalisht, pasi në rrugën “Myslym Shyri“, shtetasi E. H. është kapur nga shërbimet e Policisë duke tregtuar maska dhe doreza pa faturë tatimore, të cilat ia kishte dhënë për t’i shitur shtetasit D. K.

Ndërkohë, në Elbasan është proceduar penalisht, për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi Z. Ç., banues në Elbasan, pasi në lagjen “Aqif Pasha”, shërbimet e policisë gjatë kontrollit konstatuan të hapur lokalin “Bar-Kafe” dhe brenda u gjetën disa persona që pinin kafe.

Po në Elbasan është proceduar penalisht dhe administrativisht shtetasi D. P., banues në Elbasan, pasi u kap duke ushtruar i papajisur me licencë, aktivitetin në lokalin e tij ”Bar-Kafe”.