Kanë mbërritur në Shqipëri edhe 8 ton mjete te mbrojtjes personale për stafet mjekësore, të financuara nga qeveria shqiptare në kuadër të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në doganën e Tiranës në momentin e mbërritjes së ngarkesës me mjetet e mbrojtjes personale, deklaroi se është përparësi mbrojtja e bluzave të bardha.

“Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Kjo sasi e re e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 ton, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë.

“Janë 8 ton materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, nga syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona, do të vijojnë të furnizojnë qendrën e urgjencës kombëtare, Institutin e Shëndetit Publik, gjithashtu të gjithë njësitë e kujdesit shëndetësor vendor dhe të gjitha ato struktura, ku personeli përballet në betejën dhe në frontin e parë të luftës kundër COVID-19”, tha Manastirliu.

Duke folur për masat e reja, Manastirliu tha se nuk duhet të ulet vigjilenca e qytetarëve pasi lufta nuk ka mbaruar dhe duhet vazhduar me respektimin e masave të vendosura nga qeveria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko