Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas lajmit se, një person në Shkodër ishte viktima e radhës e koronavirusit.

“Nuk ka viktimë si pasojë e COVID-19 në Shkodër, shkaku i vdekjes së pacientit hemorragji cerebrale.

59-vjeçari, me inicialet M.S., nga Puka, ndodhej në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës, ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e COVID19, nga i cili ka rezultuar bartës ditën e djeshme, por pa simptoma të COVID19.

Ministria e Shëndetësisë informon se në Shkodër ka nisur një hetim epidemiologjik, pas konfirmimit të një infermiereje të spitalit rajonal Shkodër pozitiv në 24 orët e fundit (rasti i personelit shëndetësor i raportuar në deklaratën për media të ditës së sotme).

Sipas epidemiologëve dhe përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik që po kryejnë hetimin epidemiologjik në terren, dyshohet se ky rast është i lidhur me rastin e infermieres, e cila, sipas hetimit epidemiologjik, është infektuar në komunitet.

Nga rezultatet e testimeve të kryera në spitalin e Shkodrës, në 10 pacientë të shtruar që kanë qenë në kontakt me infermieren e infektuar, kanë rezultuar 4 pacientë të prekur, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon COVID19.

Njëri prej tyre, 59-vjeçari me inicialet M.S. ka ndërruar jetë, ndërsa tre pacientë të tjerë që janë bartës të COVID19 janë transferuar gjatë ditës së sotme në dy spitalet COVID.

Ministria e Shëndetësisë informon se vijon hetimi epidemiologjik në Shkodër dhe do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim.

Ministria e Shëndetësisë informon se vijojnë testimet dhe hetimi epidemiologjik në Shkodër dhe do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim”, thekson në sqarim ministria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko