Brenda pak ditësh nis testimi i vaksinës anti COVID-19, që u krijua nga shkencëtarët italianë dhe anglezë. Eksperimenti ka nisur në laboratorët bioteknologjikë të kompanisë Advent-Irbm në komunën e Pomezias, në afërsi të Romës. Testimi po kryhet në bashkëpunimin me Institutin IO Jenner të Universitetit të Oxford dhe brenda muajit prill do të nisë testimi tek 550 persona vullnetarë të shëndetshëm.
Analizat e kësaj vaksine kanë dhënë rezultate mjaft shpresëdhënëse në laboratorët e Pomezias. Nëse dhe faza e eksperimentimit do të sjellë pritshmëritë e studiuesve vaksina do të jetë gati për muajin shtator.
Fillimisht mendohet të vihet në dispozicion të punonjësve shëndetësorë dhe të forcave të rendit, por shpërndarja në një shkallë të gjerë për popullsinë do të kërkojë më shumë kohë për t’u vënë në dispozicion.
Në laboratorët e Advent-Irbm të Pomezia u realizua vaksina anti Ebola, patenta e të cilës u ble më 2013 nga kompania britanike Gsk.
