Skip to content

Beqja: Është një luftë e gjatë, kategoritë që duhet të testohen me detyrim

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja në një intervistë për “ABC News” ka folur për menaxhimin e COVID-19. Beqja theksoi se testimi masiv i popullatës nuk është siguri për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sipas tij në këtë situatë është e rëndësishme të bëhet identifikimi, izolimi dhe të vazhdohet me distancimin fizik.

 “Testimit rastësor do vijë në momenti, kur të mësohet nëse janë fituar antitrupat. Çdo grua shtatzënë në javën e 38 duhet të testohet me detyrim. Sepse në këtë mënyrë mbrohet. Gratë shtazënë dhe trupa e shëndetësisë, në urgjencat e spitaleve dhe ata që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët duhet të testohen”, tha Beqja.

Gjithashtu ish-ministri i Shëndetësisë tha se duhet transparencë dhe një komunikim i vazhdueshëm me të gjithë popullatën pasi kjo është një luftë afatgjate.

Më tej ai tha se vendimet që duhet të merren për ekonominë duhet të jenë të sigurta dhe të rrisin besimin e publikut, pasi nëse publiku nuk i zbaton masat mund të ndodhin gjëra të rënda.

Përse është një lloj ngërçi për të folur për një situatë ku jemi të gjithë njësoj?

Beqja: Kushdo që është në detyrë, përpiqet të jetë sa më prudent në mënyrë që të mos krijojë panik.

Si mendoni se do të ecë pandemia?

Beqja: Do të shkojë shumë gjatë, nëse thuhet se do të mbarojë kur të preken 70% e popullsisë. Nuk ka vaksinë dhe për pasojë do të duhet të bashkëjetojmë me këtë sëmundje, do të duhet ti përshtatemi. Ndoshta do të duhet ti kthehemi kohëve të largëta siç ka qenë edhe turbekulozi.

Për fat të keq kemi edhe rrugë të gjatë përpara, mendoj që asgjë nuk do të jetë më si parë, asnjë sektor i ekonomisë, as jeta jonë.