Skip to content

Një tjetër person humb jetën, 25 të vdekur nga koronavirusi në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat e fundit në lidhje me situatën e COVID-19 në vendin tonë.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 19 raste të reja, duke e çuar në 494 numrin e të infektuarve. Deri më tani 25 persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në vendin tonë.

Njoftimi i Ministrisë

Një pacient 90-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë 24 orëve të fundit. Shkon në 251 numri i të shëruarve Mira Rakacolli Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Në vijim të informimit të përditshëm ju bëjmë me dije për situatën e 24 orëve të fundit në Shqipëri lidhur me COVID-19. Dje janë testuar 252 persona të dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor.

Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor. Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste.

Siç shihet nga grafiku, edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarsisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qendrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri, i intubuar prej 11 ditësh i cili vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni. Pavarësisht perpjekjeve te stafeve mjekesore, 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje. Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë. Pavarësisht rritjes me 19 raste të reja në 24 orët e fundit, kemi një numër të qendrueshëm të rasteve në spital

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Krujë, Elbasan dhe Korçë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: – Tiranë 237 raste – Durrës 42 raste – Lushnje 6 raste – Elbasan 16 raste – Fier 32 raste – Kavajë 8 raste – Rrogozhinë 4 raste – Korçë 18 raste – Vlorë 5 raste – Shkodër 71 raste – Lezhë 14 raste – Berat 2 rast – Has 13 raste – Krujë 7 raste -Tropojë 4 raste – Pukë 5 raste – Mirditë 3 raste – Kukës 6 rast Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.

Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.