Politika Shqiptare ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë festën e Pashkëve. Si asnjëherë më parë, besimtarët festojnë të ndarë, nëpër shtëpitë e tyre për shkak të pandemisë. Dhe mesazhet e politikanëve dhe të shtetarëve janë të ndryshme dhe i kushtohen situatës që po përjeton vendi. Në urimet e tyre për këtë urim vëmendja i shkon te pandemia që po kalojnë, duke shprehur që do ta kalojnë sa më shpejt atë dhe te mjekët e infermierët që janë në vijën e parë të frontin për mposhtjen e kësaj sëmundjeve.
Gjithashtu politikanët i bëjnë thirrje njerëzve që të marrim masat në këto ditë të vështira dhe të ruajnë distancimin social, në mënyrë që të mos rrezikojnë përhapjen e koronavirusit.
Mesazhi i Metës
Kreu i Shtetit, Ilir Meta apelon që ta përjetojnë brenda familjeve të tyre këtë festë të shenjtë. Duke apeluar për më shumë solidaritet, Meta thotë se lutjet shkojnë për heronjtë e ditëve tona, mjekët dhe infermierët, e për këdo që është në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit dhe të sigurisë të çdo qytetari. Por edhe për priftërinjtë e klerikët që në krye të misionit të tyre hyjnor e fisnik po bëjnë aq shumë për ne të gjithë në këto momente tepër të vështira, veçanërisht për komunitetet më të përvuajtura.
Urimi i Ramës
Ndërsa kryeministri Edi Rama në Facebook shkruan: “Në këtë kohë të çuditshme tempujsh të kyçur, vijnë edhe Pashkët Ortodokse, pa kishat hapur por me Zotin pranë çdo familjeje që sonte feston. GËZUAR PASHKËT”
Mesazhi i Bashës
Urim ka përcjellë edhe kreu i PD, Lulzim Basha, lutjet e të cilit shkojnë për anëtarët e familjeve të prekura nga koronavirusi.
“Me urimin tradicional “Krishti u ngjall” dhe këtë foto të lepurushëve të Pashkëve përgatitur nga vajzat e mia, ju urojmë familjarisht të gjithë besimtarëve ortodoksë, nga mot Gëzuar! Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar, për të gjithë shqiptarët në nevojë dhe shtrëngesë, për shërbëtorët e Zotit që me lutjet e tyre sjellin paqe e shpresë në shpirtin e çdokujt. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet e të dashurit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shprehet Basha.
Urimi i Kryemadhit
Ndërsa Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi thotë se Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri. “Festa e shenjtë e Pashkëve na mëson se sakrifica nuk është humbje dhe se ndriçimi i zemrës përmes besimit na lartëson mbi të keqen dhe antivlerat. Fuqia e shpirtit i jep njeriut forcën për të çarë mes vështirësive dhe për të ndërtuar të ardhmen.
Masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira. Përmes tyre, ne si komb kemi përballuar ndër shekuj vështirësi pas vështirësie, dhe sot është koha që ashtu siç kemi gjetur mënyra të reja për të kremtuar festat tona fetare, ashtu të hapim rrugën për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët. Me besimin në Zot, me dashurinë për njëri-tjetrin, me vlerat dhe traditat tona kombëtare. Pashkë të mbara për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe gjithë familjet shqiptare. Krishti u ngjall!”
Mesazhi i Ruçit
Urim ka përcjellë edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili thekson se vëmendja shkon te ato që po përballen me këtë pandemi.
“Me rastin e Festës së Pashkëve, u uroj të gjithë besimtarët ortodoksë si edhe të gjithë shqiptarët: Shëndet dhe lumturi në vatrat e tyre familjare! Këto Pashkë na gjejnë fizikisht të izoluar, por më shumë të bashkuar prej mesazhit thelbësor të kësaj Feste, shpresës së ringjalljes e ringritjes. Përshëndes në mënyrë të veçantë ata që Festa e Pashkëve i gjen duke luftuar në betejën për jetën, në vështirësi apo larg vatrave familjare. Sot, të gjithë kemi realizuar sesa e mrekullueshme është jeta dhe paqja dhe sa pa kuptim janë marramendja pas urrejtjes e konflikteve. Qëndresa stoike dhe beteja që po zhvillojmë për mbrojtjen e jetës na ka bindur se askush nuk shpëton duke qenë i vetëm, por në bashkëveprim, mbështetje e solidaritet me të gjithë.
Përditë e më shumë po bindemi se njerëzimi, pavarësisht kombeve, shteteve, pasurisë, varfërisë dhe ndarjeve që shkaktojnë ato, është një familje e madhe 7.7 miliardëshe, që u përgjigjet si një e vetme rrezikimit të jetëve njerëzore nga pandemia COVID-19. Sot është dita t’u rikthehemi edhe njëherë mësimeve të krijuesve, arkitektëve dhe ndërtuesve të qytetërimit dhe t’i zbatojmë ato jo vetëm në betejën për jetën, por në të gjithë veprimtarinë tonë. Përditë e më shumë po bindemi se nga pandemia nuk na mbrojnë vetëm vaksinat e kurat mjekësore, por edhe antitrupat e dashurisë, drejtësisë e solidaritetit njerëzor, vlera që këto kohë po shkëlqejnë në të gjithë planetin, si eliksiri më i dobishëm kundër të keqes që kërcënon njerëzimin. Prandaj me kurën e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë edhe sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.
Festa e Pashkëve të na frymëzojë që të punojmë më shumë për të ndalur globalizimin e të keqes, përhapjen e formave të ndryshme të dhunës, të indiferencës njerëzore ndaj njeri-tjetrit, të dobtëve, të sëmurëve, të pambrojturve, ndaj natyrës dhe mjedisit. Krahas globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, të investohemi për të globalizuar solidaritetin dhe përkushtimin njerëzor. Solidaritetin që shfaqëm dhe po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë, tipar dhe trashëgimi të shoqërisë. Mirëkuptimin fetar ta shndërrojmë në një vlerë shoqërore dhe udhërrëfyes të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë.
Festa e Pashkëve na shtoftë të mirat dhe mundësitë për të gjithë, na fuqizoftë rezistencën, durimin e besimin se shumë shpejt do t’u rikthehemi gëzimeve të jetës.”
