Skip to content

Koronavirusi në Burgun 313, përse të dënuarit janë më të rrezikuarit nga epidemia!

Burgu 313 në Tiranë rrezikon të kthehet në vatër të koronavirusit, duke vënë në rrezik jetën e të dënuarve dhe punonjësve. Vetëm në harkun kohor të gjashtë ditëve të fundit, janë konfirmuar me koronavirus dy persona, një punonjës dhe një i dënuar. Situata mund të dalë jashtë kontrollit, nëse autoritetet shtetërore nuk vihen në lëvizje menjëherë, duke shtuar masat e sigurisë, por edhe testet.

Kush janë dy të infektuarit?

Po kush janë dy të infektuarit? Rasti i parë është shënuar më datë 14 prill, pasi një prej punonjësve që shërben në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja” në Tiranë, ka rezultuar i infektuar me virusin Covid-19.

Në një deklaratë të publikuar nga Drejtoria e Burgjeve u tha se “punonjësi nuk ka pasur asnjë funksion të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e brendshëm të burgjeve, ç’ka konfirmon se nuk ka asnjë rrezik për të burgosurit”.

Kjo deklaratë e Drejtorisë së Burgjeve ra poshtë sot, pasi pikërisht në burgun 313 u konfirmua një rast i ri me koronavirus, në radhët e të dënuarve.

Sipas të dhënave, një shtetas Italian, i vënë në pranga për trafik narkotikësh, ka rezultuar pozitiv, duke e shtuar më shumë frikën për raste të tjera. Në situatën kur janë pezulluar të gjitha takimet e të burgosurve, koronavirusi me gjasë ka hyrë vetëm perms punonjësve, të cilët kanë kontakt me botën e jashtme.

Mungesa e kushteve

Mungesa e kushteve në burgjet shqiptarë nuk është diçka e panjohur.Zbatimi i disa masave të thjeshta të rekomanduara nga OBSH, për shumë nga të burgosurit në Shqipëri është i pamundur.

Siç është transmetuar disa herë edhe me pamje video, në burgje mungesa e kushteve higjieno-sanitare është evidente.

Larja e duarve, si dhe vendosja maskave dhe dorezave për çdo të burgusur apo edhe për gardianet, është pothuajse e pamundur.

Potencialisht, të dyja palët janë të rrezikuar.

A po zbatohen lehtësirat e propozura?

Në fillim të pandemisë, qeveria nxori një akt normativ me lehtësira për disa kategori të dënuarish, të cilët mund të marrin leje tremujore të përkohshme për të qendruar në shtëpi.

Sipas të dhenave, mbi 494 të dënuar në shkallë vendi kanë kërkuar lejen e vuajtjes së mbetur të dënimit në shtëpi, ndërsa 585 të dënuar që plotësojnë kriteret.

Por procedurat e gjata dhe formularët e shumtë që duhen plotësuar, ka bërë që shumë prej tyre të vazhdojnë të jenë ende brenda qelive.

Janë pikërisht komisionet e ngritura nga drejtoria e Burgjeve, të cilët bëjnë edhe shqyrtimin e dosjeve, që nuk po japin “OK” për të dënuarit me vepra të lehta, ose që po u mbaron dënimi.

Sipas të dhënave, janë bërë me dhjetëra kërkesa për veprat penale të lehta që dënimi i mbetur të shlyhet në shtëpi.

Praktika e lirimit të burgosurve për vepra të lehta penale, po ndiqet nga disa shtete të botës, në mënyrë që të sigurohet jeta e tyre.