Skip to content

Shtohen rastet e reja/ 634 të infektuar në total në Shqipëri

Edhe këtë të mërkurë, ashtu si të martën, në vendin tonë janë regjistruar 25 raste të reja në 24 orë.

Në këtë mënyrë, numri total i të infektuarve ka shkuar në 634. Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli, shifrat janë konstante.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 252 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID19. Vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin. Deri në këto momente janë testuar 6269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste.”

Të infektuar aktivë në Shqipëri kemi 251 persona, një numër më i vogël se ai i të shëruarve, që është 356.

Ndërkohë, numri i pacientëve në gjendje të rëndë ka pësuar ulje, vetëm tetë të infektuar marrin shërbim në kujdesin intensiv.