Krislen Keri ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil. Burimet bëjnë me dije se ky vendim ka të bëjë me situatën e krijuar nga COVID-19, edhe pse pa dhënë shumë detaje mbi motivacionet konkrete. Ndërkohë, referuar po të njëjtave burime mësohet se në vendin e tij është emëruar Edlira Liçi. Liçi më herët ka qenë specialiste në sektorin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Në fakt, kërkesa për largimin e Kerit është vendosur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një raporti prej 30 faqesh, ku janë publikuar shkeljet e rënda të kryera nga Autoriteti i Aviacionit Civil, përgjatë periudhës 1 janar 2018 deri në 31 gusht 2019. Sipas raportit të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilën e disponon ekskluzivisht Gazeta Shqip, janë plot 39 shkelje të rënda dhe me pasoja në buxhetin e shtetit për shkak të keqadministrimit të këtij subjekti shtetëror.
Madje në fund të raportit përmbledhës, KLSH përcakton se ka indicie të forta për nisjen e hetimeve penale ndaj drejtuesve, një prej të cilëve Keri.
