Bashkia e Tiranës ka reaguar pas publikimit nga Gazeta SHQIP të një tenderi që është hapur ditët e fundit nga Agjencia e Shërbimeve Funerale ku kërkohet blerja e 136 arkivolëve “për përballimin e COVID-19”.
Konkretisht, kërkohet të blihen 56 arkivolë të vegjël, për fëmijë deri në 1 vjeç; 75 copë arkivolë të mëdhenj të madhësive standarte dhe 5 copë arkivolë më të mëdhenj se standardi.
Drejtuesit e bashkisë, në një reagim për SHQIP, thanë se nuk bëhet fjalë për vdekje nga koronavirusi, por për vdekje natyrale.
Në reagim thuhet se “Ne kushtet e COVID-19, tenderi i referohet blerjeve në statusin juridik të emergjences, dhe jo bebeve me COVID-19”.
Ligji parashikon se në rastet kur ka gjendje të jashtezakonshme, si luftë, tërmet, pandemi; prokurimet normale bëhen në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. E thënë më thjeshtë, nuk kemi të bëjmë me vdekje nga koronavirusi, por me vdekje gjatë pandemisë, ku përfshihen edhe ato natyralet.
Bashkia organizon shërbimet funerale për personat që vdesin nga COVID-19, të moshuarit e braktisur si dhe për bebet që lindin pa jetë në meternitet.
Referuar numrit të lartë të arkivolëve për fëmijët, bashkia sqaron për SHQIP se varros mbi 50 bebe që lindin pa jetë në maternitet.
Në bazë të të dhënave zyrtare, Tirana, territor në të cilën vepron Agjencia e Shërbimeve Funerale që ka shpallur tenderin, numëron, në total që nga dita e parë, 256 persona të prekur nga COVID-19, nga të cilët 15 kanë humbur jetën, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë shëruar.
