Drejtuesi i emisionit “Real Story” në “News 24” Sokol Balla, pas informacionit të marrë nga një gazetare, pyeti mjekun infeksionist Arjan Harxhi nëse një person ka ndërruar jetë përpara 3-4 orësh tek Infektivi.
Harxhi tha se ka lënë një person në gjendje të rëndë tek Spitali Infektiv, por nuk ka informacion nëse mund të ketë ndodhur më e keqja. “Nuk besoj se ka pasur raste më përpara se ne kemi nxjerrë zyrtarisht rastet. Mendoj se kurba do të jetë në ulje, në rast se ne si shqiptarë bëhemi të vetë-dijshëm e mbajmë ata rregulla që kemi thënë.
Çdo vendim-marrje duhet marrë me raste të caktuara. 3-4 orë më parë po thoni se ka ndërruar jetë një person në Covid-19? Ishte një person në gjendje të rëndë, por nuk kam informacion që të ketë ndërruar jetë ndokush”, tha Harxhi. Arjan Harxhi theksoi më tej se testimi masiv nuk ka vlerë të madhe.
“OBSH ka ngritur veshin dhe syrin për situatën. Nuk besoj se ka ndonjë flirt mes OBSH dhe kinezët, nuk di ta them. Në Itali, në Romë u izolua pacienti i pari kinez. Duhet të sekuencohet vazhdimisht për të parë nëse ndryshon tiparet apo jo. Viruset zakonisht fitojnë tipare të reja. Inteligjenca jonë mund të jetë kundër gjeneve të virusit.
Nuk ka formulë, sesa testime duhen për një popullatë prej 2.8 milionë sa ka Shqipëria për shembull. Nuk ka vlerë testimi masiv. Nuk ka vlerë. Testimi ka vlerë për të bërë gjurmim të kontakteve. Vetëm kur ka persona të dyshuar se janë me koronavirus, duhet bërë testimi”, tha mjeku Harxhi.
