Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka shpjeguar në emisionin Opinion, vijimin e procesit të riatdhesimeve për të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë mbetur jashtë. Balluku tha se janë kthyer deri tani 814 shqiptarë dhe procesi do të vijojë edhe në linja të tjera.
“814 shqiptarë janë kthyer me 7 segmente të fluturimeve që kemi bërë, por ndërkohë edhe nga Shqipëria kemi transportuar udhëtarë në destunacione të tjerë, në total, 1432.
Procesi i riatdhesimit është dinamik. Ne dimë aq numra sa kemi të deklaruar të rezervuar.
Deri në datën 26 do kemi edhe 660 qytetarë që kthehen duke e çuar numrin në rreth 1500 qytetarë, brenda 8 ditëve në 14 fluturime.
Parisi është një destinacion që i ka vendet e ezauruara. Londra po përgatitet për flurturimin e dytë pasi fluturimi i parë është kthyer sot. Madridi është një destinacion që do të kryhet gjatë javës së ardhshme. Ndërkohë është futur Bukureshti që nuk e kemi diskutuar, por kërkesa ka qenë e madhe si dhe Vjena të cilën e deklaroj, pasi leja është e marrë tashmë, do të kryhet në datën 27, ditën e hënë”, tha Balluku. Ndërkohë, Balluku tha se situata paraqitet pak më e vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne do të vazhdojmë të kemi në çdo qytet nga i cili ju keni prenotuar, udhëtime të tjera. Roma do përsëritet, Milano gjithashtu, Londra ka luturimin e dytë, Frankfurti fluturimin e tretë dhe kështu me radhë. Asnjë qytetar nuk do mbetet pa riatdhesuar”, deklaroi ministrja.
Ministrja tha se çdo qytetar shqiptar që do të hyjë në territorin shqiptar do të karantinohet për 2 javë në një hotel me përjashtim të dy rasteve kur janë të sëmurë ose kur janë minorenë.
“Çdo qytetar që është në kushte të mira shëndetësore do të karantinohet. Por ka dy raste përjashtimore nëse ka një diagnozë mjeksore që nuk e lejon të karantinohet në hotel dhe atëherë do të shkojë në shtëpi dhe do të karantinohet e gjithë familja për 14 ditë. Rasti tjetër janë minorenët. Ata do të dërgohen në shtëpi dhe e gjithë familja do të karantinohet për 14 ditë”, tha ministrja.
