Amnistia fiskale që po diskutohet ka hapur shumë diskutime. Në përgjithësi duket e mirëpritur dhe e mençur. Me shumë pak përkushtim, transparencë por edhe me një konsultim të gjerë me grupet e interesit, paratë e aktivizuara në tregjet e kapitaleve apo investimeve, do të jetë ndoshta një lehtësim për dihatjet e ekonomisë shqiptare. Në të vërtetë, çdo para e mundshme që të hyjë dhe të aktivizohet në Shqipëri në këtë periudhë do të jenë më shumë se të vlefshme.
Nga amnistia u përjashtuan disa kategori. Një pjesë e këtyre kategorive ndoshta drejtësisht përjashtohen por, a duhen lënë jashtë mundësisë së shtetit për të gjurmuar dhe përvetësuar sipas ligjit këto kapitale? Nga përvoja në Shqipëri është shumë e vështirë, në kufijtë e të pamundurës, që pjesa e kapitaleve të akumuluara nga aktivitete të paligjshme dhe të padeklaruara të kalojnë në sitën ligjore dhe të kontrolluar nën presionin e ligjit.
Të lëmë mënjanë paratë e deklaruara për lobime, të cilat KLSH këto ditë i ka deklaruar si shkelje dhe dëm në buxhetin e shtetit. Ato para tashmë janë paguar dhe përfituar nga një i tretë që ofron shërbimin e caktuar sipas kërkesës së porositësit. Tashmë, ato para janë të pakthyeshme. Me këtë punë duhet tashmë të merret drejtësia dhe mjafton që drejtësia të jetë vetëm korrekte dhe të ndëshkojë (kur të vijë koha sepse tashmë nuk mund të mbipopullohen apo të vizitohen institucionet penitenciare) ashpër drejtësisht. Ndëshkimi nga drejtësia nuk do të fusë asnjë para ne treg, thjeshtë do të shtojë një shpenzim më shumë për një të ndëshkuar më shumë (në rast se do të shpallet një fajtor dhe do të ndëshkohet një i fajshëm).
Po KLSH, rregullisht ka nxjerrë herë pas here raporte që denoncojnë shkelje dhe abuzime me buxhetin e shtetit. Nga forcat politike akuzohet rregullisht se vidhet, përfitohet apo duke fryrë vlerat e investimeve publike, pushtetarët pasurohen. Dikush që pasurohet krijon një pasuri, të shprehur në para, prona apo asete të ndryshme. Edhe rotacioni politik i pushtetit në Shqipëri shumë shpesh motivohet në emër të këtyre pasurive të vëna duke abuzuar me fondet publike. Gjatë secilit 8 vjeçar qeverisës të secilit grupim politik, e vetmja gjë që nuk ka munguar ka qënë akuza për vjedhje, abuzim dhe shpërdorim të fondeve publike dhe pandëshkueshmëria e çdo lloj forme të këtyre shkeljeve. Le të jemi të kujdesshëm dhe të mos shkojmë (në rast se do të ndodhë ndonjëherë) me sy mbyllur drejt ndëshkueshmërisë ligjore dhe penale.
Jo vetëm prej situatës të momentit të vështirësisë të imponuar nga pandemia, por edhe për interesa të drejtpërdrejta që ndihmojnë përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqënies së secilit, është me më shumë interes rikthimi i këtyre parave. Sidomos për qytetarët e thjeshtë, të cilësdo shtresë social – ekonomike, rikthimi në shërbim të tyre i parave të përfituara padrejtësisht, është i vetmi interes. Ndëshkimin e fajtorit apo fajtorëve dhe të fajshmëve le t’i mbetet si atribut politikës brenda mjedisit të vet të ushtrimit të aktivitetit.
Reforma në drejtësi nxorri nga sistemi shumë prokurorë apo gjyqtarë për deklarim të rremë, të gabuar apo të pasaktë dhe të pajustifikueshëm të të ardhurave. Në qoftë se këto deklarime mjaftojnë si shkak për hetimin e menyrës së përfitimit të të ardhurave të deklaruara gabim apo pasaktësisht, le të bëhet paralelisht edhe gjurmimi I kapitaleve apo parave të tjera të mundshme të përfituara pa të drejtë. Në qoftë se abuzimet me tendera apo investime të tjera publike, të denoncuara nga KLSH dhe kundërshtitë dhe akuzat politike, përbëjnë kusht për hetim, le të bëhet edhe gjurmimi i parave të tjera të mundshme që mund të gjenden në forma të ndryshme; investime, asete, ndërmarrje prodhuese apo tregtuese etj., në Shqipëri dhe jashtë saj. A është e mundshme të realizohet qoftë edhe në këtë situatë?
Po t’i premtohet një komision i pranueshëm partnerëve ndërkombëtarë, po të mendohet se këto para do të ulin kërkesën nga Shqipëria për një pjesë të ndihmave dhe, po të arrihet t’i bindin për dëshirën e mirë për t’i shkuar deri në fund për herë të parë diçkaje të tillë, mund të jetë edhe më e lehtë. Tashmë kudo është pothuajse i pezulluar çdo aktivitet dhe kjo mund ta bëjë më të lehtë hetimin e burimit të të ardhurave në bashkëpunim me autoritetet e vendeve partnere.
Tashmë në Shqipëri kemi një përvojë pothuajse të suksesshme të gjurmimit të zinxhirit epidemik të infektueshmërisë. Ndoshta nga i njëjti model, mund edhe të krijohet një sistem i vlefshëm për gjurmimin e parasë së përfituar padrejtësisht nga fondet publike dhe buxheti i shtetit, të cilat krijohen nga taksat që të gjithë ne paguajmë. Qytetarët, madje edhe opinionin publik lëreni fare të painformuar me emra dhe individë, masa ndëshkimore ligjore penale apo jo. E vetmja gjë që qytetarëve ju intereson është rikthimi I parave të munguara të mundshme dhe rikapitalizimi i tyre në formën e shpërblimit dhe përmirësimit të shpërblimit për secilin., ose ndoshta duhet të ndalohet denoncimi dhe akuzimi në publik, të abuzimeve të vjetra dhe të reja…
/ gazeta shqip
