Skip to content

Dalin shifrat/ 118 mijë shqiptarë nëpër rrugët e botës, ja sa kanë mbërritur

Dy javë më parë, Kryeministri Edi Rama publikoi grafikun e personave që janë të detyruar të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore, pasi kanë ardhur nga Italia e Greqia. Bëhej fjalë për rreth 118 mijë shtetas shqiptarë, që janë kthyer nga zonat e kuqe, nga data 26 shkurt e në vazhdim. Në lidhje me zbatimin e vetizolimit, Policia e Shtetit pati nisur kontrollet dhe informimin me telefonata e sms të këtyre personave.

Gjithsej kanë ardhur 117 711 persona nga zonat e prekura dhe personat që e kanë shkelur urdhrin e karantinës, në të gjithë vendin, janë rreth 260. Personat e kthyer nga Italia e Greqia, nga data 26 shkurt e në vazhdim, morën paralajmërimin e parë nga qeveria që të vetëkarantinoheshin, në të kundërt do të gjobiteshin me 5 mijë euro ose 700 mijë lekë të rinj.

Ata ishin të parët që u përballën me kontrollet e Policisë dhe të Ushtrisë, ku përmes një tableti, që prej natës së parë, u verifikuan mbi 100 persona, të cilët morën urdhër të vetëkarantinoheshin.koronavirus-rinas14

Masat kanë vijuar edhe pas këtij verifikimi. Shërbimet e Policisë, që kishin identifikuar përmes sistemit TIMS të gjithë personat që kanë mbërritur gjatë kësaj periudhe nga Italia e Greqia, nisën t’i telefonojnë dhe t’i këshillojnë, që të mos dalin nga shtëpia. Nga ana tjetër, duke qenë se Policia ka në sistem edhe adresat e tyre të banimit, u vendos që zonat ku ata jetojnë, të patrullohen vazhdimisht. Ky lloj monitorimi besohej se do t’i bindte edhe më shumë këta persona, që të mos dilnin nga shtëpitë e tyre për një periudhë 2-javore, që nga momenti i hyrjes në territorin e Shqipërisë.

Sipas Institutit të Statistikave, në muajin mars kanë hyrë në territorin shqiptar të paktën 4793 shtetas italianë. Në këtë muaj, situata në vendin fqinj ishte bërë problematike, si vatra e dytë më e vështirë e koronavirusit pas Kinës, në botë, teksa edhe në vendin tonë u shfaqën njëra pas tjetrës rastet e para nga data 9 mars. Hyrjet i përkasin 10-ditëshit të parë të marsit, sepse më pas pati kufizime të fluturimeve, e më pas edhe të udhëtimit në rrugë detare apo rrugore.

Në total, sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2020, janë 272.514. “Krahasuar me mars 2019, ky tregues rezulton me rënie 61,8 %. Në mars 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 95.321. Krahasuar me mars 2019, ky numër ka rënë me 66,4 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë tre muajve të parë të 2020-s është 573.723, duke rënë me 17,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.