Skip to content

Ndryshimet në Kodin Penal/ Meta i përgjigjet Fatos Lubonjës: Pse i dekretova, dyshimet tuaja janë…!

Ndryshimet në Kodin Penal dhe dekretimi i tyre nga ana e presidentit ka qenë një prej çështje të shumëdiskutuara e ditëve të fundit, e për të cilat ka pasur edhe përgjigje zyrtare nga Presidenti Meta.

Por, analisti Fatos Lubonja nuk është ndalur me kaq dhe u ka drejtuar disa pyetje juristëve të Presidentit të Republikës, ndërsa përgjigja është publikuar në faqen zyrtare në facebook.

“Meqënëse z.Fatos Lubonja sot ka bërë disa pyetje për juristët e Presidentit të Republikës, preferoj t’i përgjigjem drejtpërdrejt në respekt të kontributeve të Tij të spikatura prej dekadash në mbrojtje të demokracisë dhe interesit publik”- shruan Meta.

Sipas Metës, ndryshimet e detyruara të Kodit Penal për pandeminë, ishin një reflektim ligjor ndaj një të papriture, që surprizoi e tronditi globin në çdo pikëpamje.

“Realiteti pozitiv është që ndryshimet e bëra janë të një standardi të njëjtë me legjislacionet më të mira demokratike. Ngjashmëria me Danimarkën është shteruese, qoftë për garancinë juridike, ashtu edhe për proporcionalitetin dhe ky është lajm i mirë për këdo” – deklaron kreu i shtetit.

Meta e quan dyshim beninj atë të Lubonjës, teksa e konsideron të natyrshëm dhe të motivuar. Ky dyshim, sipas Metës, lidhet qartë me zbatimin e drejtë dhe korrekt të legjislacionit, që do të thotë në esencë funksionim i shtetit ligjor.

“Ndajmë të njëjtat dyshime e shqetësime të forta me Lubonjën për tronditjen e shtetit ligjor në Shqipëri, si një sfidë madhore që kërkon përgjigje.

Në këtë situatë, më mirë të kemi një legjislacion sa më solid, të qartë dhe garantues të parimeve të sigurisë juridike dhe proporcionalitetit sipas Kodit Penal të Danimarkës, sesa të kemi një boshllëk ligjor që mbushet vetëm me abuzivizëm dhe arbitraritet apo më keq se sa të kishim ndryshime jashtë çdo standardi demokratik që cënonin të drejtat e qytetarëve tane duke i ekspozuar ndaj abuzivizmit dhe represionit” – përfundon shpjegimet e tij Ilir Meta, lidhur me paqartësitë e Fatos Lubonjës me ndryshimet në Kodin Penal, postim që e ka shoqëruar me një foto të analistit.