Këtë të shtunë moshat e treta në Berat kanë shijuar për herë të dytë liridaljen e tyre, pas një muaji e gjysmë izolim. Por kjo leje për pensionistët u shfrytëzua edhe nga banorë të tjerë beratas, mes tyre gra dhe fëmijë, duke shkelur kështu rregullat e vendosura të karantinës së fundjavës nga qeveria.

Pensionistët e kanë shijuar mjaft ditën e sotme, duke vërshuar që prej orëve të para të mëngjesit në rrugë, parqe e lulishte dhe duke shfrytëzuar kryesisht ambjentet e gjelbëruara por duket qartë që pjesa më e madhe e tyre nuk kanë respektuar distancën dhe masat mbrojtëse. Ata kanë shijuar rrezet e ngrohta të diellit në këtë ditë të bukur pranvere, kur çdokush tjetër ka qënë në karantinë të plotë dhe ku gjithçka ka qënë e mbyllur. Dita e sotme, me diell dhe temperatura të larta i ka favorizuar pensionistët që ta shijonin nën rrezet e diellit liridaljen e tyre deri në orën 11:00, orar kur të gjithë ju drejtuan banesave të tyre, për të respektuar orarin e liridaljes. Shumë prej pensionistëve ishin pa maska mbrojtëse e dorashka në rrugë, por edhe të shkujdesur në ruajtjen e distancimit social mes njëri-tjetrit. Pensionistët pohojnë se, pasi kanë dalë sot herët dhe pasi shëtitën dhe shijuan ajrin e freskët dhe rrezet e diellit, po i drejtohen banesave për të respektuar orarin e liridaljes. Sipas pensionistëve, Berati duhet të ishte futur në listën e qyteteve të gjelbëra dhe lirohej më tepër, pasi është një qytet i paprekur nga coronavirusi dhe një qytet me njerëz të kulturuar, që dinë të respektojnë rregullat dhe masat e vendosura nga qeveria.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re